Sindikata e Policisë së Kosovës ka reaguar lidhur me rastin e sulmit mbi zyrtarët policorë gjatë protestës që u organizua sot nga Partia Socialdemokrate në Prishtinë.
Në reagimin e Sindikatës së Policisë thuhet se Policia e Kosovës, në përputhje me autorizimet ligjore ka monitoruar situatën me qëllim të sigurisë të të gjithë pjesëmarrësve dhe rendit publik.
“Gjatë kësaj proteste përveç hedhjes së mjeteve të ndryshme nga protestuesit, në mënyrë poshtëruese fizikisht sulmohen zyrtarët policor gjatë kryerjes së detyrës zyrtare me që rast lëndohen tre zyrtar policor. Njëri nga zyrtarët policor sulmohet, duke u goditur me shuplakë në fytyrë”, thuhet në reagim, transmeton Telegrafi.
“Ky sulm shihet shumë qartë në videoincizimet e kamerave, prandaj kërkojmë nga organet e drejtësisë që menjëherë të veprojnë sipas procedurave ligjore dhe të gjithë ata që i kanë sulmuar zyrtarët policor të hetohen zyrtarisht”.
Sindikata e Policisë konsideron se sulmi i ushtruar ndaj Policisë është sulm ndaj Shtetit të Kosovës, prandaj Prokuroria dhe Gjykata duhet të reagojnë menjëherë duke respektuar parimin ligjor “askush mbi ligjin”.
“Sindikata e Policisë do të monitoroj të gjitha reagimet e organeve të drejtësisë dhe do të qëndroj në ballë të mbrojtjes së Zyrtarëve Policorë në çdo rrethanë dhe moment që ndodh padrejtësi ndaj tyre!”, thuhet në reagim.
Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë protestës së sotme në Prishtinë, në përplasje me protestuesit, tre zyrtarë policorë kanë marrë lëndime trupore.
Ndërsa në një videoincizim shihet momenti kur kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj e qëllon me shuplakë në fytyrë një zyrtar policor në hyrje të objektit të Qeverisë. /Telegrafi/