Telegrafi

Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës: Minatorët ende nuk i kanë marrë pagat e muajit qershor

Foto: Arkiv

Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës përmes një reagimi publik ka bërë të ditur se minatorët ende nuk i kanë marrë pagat e muajit qershor.

Në reagim thuhet se qeveria nuk ka aspak interesim për fatin e minierës dhe minatorëve, transmeton Telegrafi.

“Tani që ndodhemi në fundin e muajit Korrik, minatorët ende nuk i kanë marrë as pagën e muajit qershor. Interesimi për fatin e minierës dhe minatorëve nga qeveria, ministria dhe bordi i ndërmarrjes janë në nivelin zero. Vullneti i tyre për prosperitetin e kësaj ndërmarrje dhe premtimi për ditë të mira në ndërmarrjen Trepça SH.A., janë vetëm fjalë boshe dhe asgjë tjetër”, thuhet në reagim.

Më tej, Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës thotë se “një qasje e tillë refuzuese ndaj ndërmarrjes Trepca Sh.A dhe minatorëve, duke i lënë të njëjtit buzë humnerës dhe duke ia pamundësuar ekzekutimin e pagave gati për dy muaj nën këto kushte të rënda financiare të minatorëve përben shqetësim serioz dhe sfidë që kërkon zgjidhje të menjëhershme”.

“Ta dini se një qasje e tillë ndaj minierës Trepça Sh.A dhe minatorëve të saj nga qeveria dhe ministria e saj paraqet rrezik serioz që të gjithë minatorët të gjejnë zgjidhje tjera apo edhe të migrojnë jashtë vendit. Fatkeqësisht ndoshta ky edhe është qëllimi dhe dëshira e disave”, vijon reagimi i tyre.

Më tej, sindikata ka bërë thirrje për reflektim.

“Jeni duke i përbuzur minierën dhe minatorët, një ditë do i kërkoni! Reflektoni dhe ekzekutoni pagat”./Telegrafi/