Mënyra e re e subvencionimit pas Vitit të Ri do ta ngrejë në këmbë Sindikatën e Pavarur të Bujqve të Maqedonisë së Veriut. Revolta vjen pas njoftimit të ministrisë se aplikimi i ri i subvencioneve do të nisë nga janari, gjë që sipas bujqve që vazhdojnë të kultivojnë arat do të thotë kosto shtesë dhe një pjesë e madhe e tyre nuk do të marrin subvencione sepse nuk do të plotësojnë kushtet, shkruan “Telma”.
Stavre Janev nga Sindikata e Pavarur e Bujqve mendon se mënyra e re e subvencionimit nuk do t’i kthejë të rinjtë në fusha dhe as nuk do të fitohet beteja me prodhimin e ushqimit.
Ai konsideron se është e pamëshirshme që fermerët të kushtëzohen me punësimin e detyrueshëm të agronomëve, pastaj të sigurojnë të mbjellat dhe atë në kohën kur shumica e produkteve bujqësore ofrohen me çmim më të ulët se çmimi i prodhimit.
Ai tha se është e nevojshme që bujqit e vërtetë të ulen në tavolinë me ata që kanë shkruar ligjin dhe ta përpunojnë atë.
“Nëse futni kosto të reja, detyrime të reja për bujqit, do të thotë që bujqësia, sipas nesh, vihet në pikëpyetje për mbijetesën e saj, për dinamikën e mëtejshme të prodhimit. Personalisht mendoj se shumica e fermerëve do të heqin dorë nga prodhimi”, thotë Stavre Janev nga Sindikata e Pavarur e Bujqve./Telegrafi/