Site icon Telegrafi

Sindikata apo biznese?

“Pse po mi ndalni ka 3.5 Euro”, dëgjohej duke bërtitur njëri në një sportel banke. Pas pak punëtorja e bankës ia kthente; “shko pyete drejtorin, sindikata t’i ka ndalë”. Por, plaku nuk dorëzohej, “pse more sa sindikatave duhet me ju dhanë pare”!!!

Ky është vetëm njëri nga faktet e “luftës” në mes të sindikatave për të përfituar nga punëtorët. Sindikata që themelohen fare lehtë, një marrëveshje e “kuptueshme” në mes të drejtuesve të institucionit dhe “sindikalistëve të dëshmuar”, do të krijojë plus një sindikatë ani pse brenda institucionit ka disa të tilla. Përmes premtimeve, “unë jam më i mirë se tjetri”, ato kërkojnë nënshkrimin e punëtorëve, nënshkrim që automatikisht të bënë anëtar të saj dhe ndalesë nga paga mujore, por kjo nuk nënkupton se do të mbrohen të drejtat tua!

Cili është roli i sindikatave në Kosovë? Sindikatat në Kosovë nuk kanë fare ndikim dhe nuk gëzojnë besimin e punëtorëve. Ky ndoshta mund të ju duket konstatim i pa matur dhe jo-real. Por, për fatin e keq ky është realiteti. Të themeluara në emër të mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve, ato janë shndërruar në biznese të suksesshme të drejtuesve të tyre dhe njëkohësisht “xhoker”, i drejtuesve të institucioneve dhe ndërmarrjeve shtetërore.

Pikërisht interesat e ngushta përfituese kanë çuar në ndarjen në dysh të BSPK-së (një bashkim sindikatash me ndikim gjatë viteve të 90-ta). Në shtetet perëndimore lëvizjet sindikale janë të fuqishme. Përveç mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve në sektor të ndryshëm, ato po ashtu janë një promotor i zhvillimit të vendit dhe vatrave të ndryshme të krizës në botë, përmes fondacioneve humanitare.

E kundërta ndodhë në vendin tonë, këto sindikata jo vetëm që nuk mbrojnë të drejtat e punëtorëve, por njëkohësisht askush nuk e dinë se nga shkojnë qindra mijëra euro taksa të anëtarësimit të punëtorëve. Me të drejtë përdoret kjo fjalë; “Në Kosovë gjithçka shitet”. Pra në vendin tonë, individ të ndryshëm “shpikin” lloj lloj ‘marifetllëqësh’ për tu pasuruar. Zakonisht këto “shpikje”, rëndojnë xhepin e punëtorëve.

Ky shkrim nuk ka qëllim të fyej lëvizjet sindikale dhe aq më pak të minimizoj rolin që duhet të kenë ato. Qëllimi është pasqyrimi i realitetit. Pra, na pëlqeu ose jo kemi një realitet të tillë. Të drejtat e punëtorëve shkelen nga punëdhënësit (këtu flasim vetëm për sektorin publik), ndërsa sindikatat që thirren në emër të mbrojtjes së të drejtave të tyre dhe që njëkohësisht marrin para të majme, nuk bëjnë asgjë.

Nuk mund të gjejmë asnjë rast ku sindikatat kundërshtojnë largimin e punëtorëve nga puna, suspendimet me dhe pa fakte, ndërrimet e vendeve të punës nga ana e drejtorëve apo menaxherëve për “hatër” të orientimit partiak apo pse atyre ju teket dhe shumë e shumë raste nga më të ndryshmet. Madje përfaqësues të sindikatave nuk marrin pjesë as në komisione disiplinore për të mbrojtur punëtorët.

Gjithashtu nuk duhet të jemi të pajtimit, që sindikatat të dalin vazhdimisht në rrugë dhe të organizojnë protesta apo greva. Pra, nëse do të ishte vërtet qëllimi mbrojtja e të drejtave të punëtorëve, këto sindikata i kanë mjetet në duart e tyre. Një organizim i mirëfilltë dhe serioz sindikal ka “armët” e forta për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve karshi institucioneve. Këto mjete janë serioziteti i tyre, pastërtia dhe këmbëngulja.

Tek ne ka një organizim sindikal të çuditshëm, ku drejtuesit e sindikatave janë të preferuar të drejtuesve të institucioneve!!! Kemi (x) raste ku tentativat e sindikatave për të protestuar përmes grevave apo mjeteve të ndryshme janë stopuar, me disa favore personale që u janë ofruar drejtuesve të tyre nga ana e punëdhënësve. P.sh njërit i ishte ofruar një xhip (veturë personale), njërit i ishte punësuar djali në të njëjtin institucion, të tjerë për hatër të aktualitetit politik dhe raste të tjera që janë paraqitur nga mediet.

Pra, tek ne kemi një bashkëjetesë harmonike të dy kundërshtarëve të zakonshëm. Sindikata duhet të jetë “avokat mbrojtës” i punëtorëve dhe një zë unik i të drejtave të tyre karshi institucionit dhe jo një servil i institucionit.

Në përgjithësi organizimi sindikal në vendin tonë, është i pa organizuar dhe i udhëhequr nga njerëz me qëllim përfitimi individual. Përderisa të gjithë ne paguajmë për anëtarësi në këto sindikata dhe të drejtat tona nuk mbrohen, është momenti që të hapet debat për mënyrën e shpenzimit të mjeteve që marrin këto sindikata. Nëse kjo nuk mund të bëhet zyrtarisht, atëherë punëtorët duhet kërkuar forma tjera për të audituar mënyrën e shpenzimit të buxheteve sindikale të krijuara nga djersa e tyre.

Exit mobile version