Telegrafi

Sindikalistët, ultimatum për Qeverinë

Qeveria e Kosovës do ta ketë një javë në dispozicion që ta zbatojë në tërësi vendimin e saj për rritje pagash. Saktësisht, shtesat për muajin janar e shkurt, që është dashur të dalin në mënyrë retroaktive për shërbyesit civilë menjëherë pas miratimit të buxhetit nga Kuvendi.

Në të kundërtën, sindikatat e shërbyesve civilë thonë se do t’i përdorin të gjitha mjetet sindikale dhe kërcënojnë se pas një jave, nëse nuk dalin këto para, mund të ndodhin gjëra të paparashikueshme.

Nga ana tjetër, pavarësisht se bëhet fjalë për një vendim qeveritar, deklaratën e mëhershme të ministrit të Financave, Bedri Hamza, se nuk premton që këto mjete do të dalin, e ka përforcuar zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.

Pas mbledhjes së Qeverisë të mërkurën, ai ka thënë se nuk mund të premtojë se shtesat do të jepen në mënyrë retroaktive dhe se kjo e drejtë është e dikujt tjetër.

“Kjo çështje i përket dikujt tjetër”, tha Kuçi, duke mos saktësuar se kujt i përket çështja e mosmarrjes së shtesave të premtuara nga qeveria edhe për janar e shkurt.

Megjithatë, nëse kjo punë është e ministrit Hamza, as ky i fundit nuk ka garantuar për zbatimin e plotë të vendimit të qeverisë, të marrë më 6 janar. “Unë nuk kam dëgjuar se ka pas premtime. Ligji i buxhetit është miratuar në fund të muajit mars, të gjithë shërbyesit civilë dhe kategoritë që kanë qenë pjesë e vendimeve të qeverisë, që është një rritje mjaft kualitative”, pati thënë Hamza. /Telegrafi/