Telegrafi

Sindikalistët i tregojnë ministres Nagavci se ka punëtorë në arsim që punojnë pa paga

Drejtuesit e Sindikatave të Arsimit në një takim me ministren e Arsimit, Arbëria Nagavci, kanë biseduar për çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me arsimin në Kosovë.

Sipas njoftimit të SBAShK-ut nga ky takim, sindikalistët kanë ngritur si shqetësimin çështjen e punëtorëve arsimorë të cilët janë duke punuar pa paga.

“Në komunën e Fushë Kosovës janë 53 punëtorë arsimorë që punojnë, por nuk marrin paga, në Mitrovicë rreth 80 raste të tilla, e aty e këtu edhe në komunat e tjera ka raste që punëtorët arsimorë janë duke punuar tani e disa muaj por nuk marrin paga”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.

Përfaqësuesit e SBASHK-ut kanë kërkuar nga ministrja Nagavci që të angazhohet brenda kompetencave  të saj dhe në kuadër të qeverisë për ta zgjidhur drejt këtë çështje.

Sipas njoftimit, në këtë takim përfaqësuesit e SBASHK-ut edhe një herë ia kanë përkujtuar ministres Nagavci çështjet që lidhen me Ligjin e ri të pagave duke kërkuar mbështetjen e saj dhe angazhimin që bashkërisht të realizohet kërkesa e SBASHK-ut që punëtorët arsimorë të radhiten në vend meritor në këtë ligj dhe që mos të ketë dallime në koeficiente në mes të punëtorëve arsimor në arsimin fillor e atë të mesëm të ultë.

Është ngritur edhe njëherë edhe çështja e punëtorëve me sëmundje të rënda dhe SBASHK-u kërkoi nga ministrja Nagavci që edhe kjo çështje të ngritët në nivel të qeverisë për të gjetur zgjidhje të pranueshme.

“Është biseduar edhe për çështjen e vlerësimit të performancës së mësimdhënësve dhe ishte vlerësim i përbashkët se vlerësimi i performancës duhet bërë sipas Udhëzimit Administrativ dhe përmes inspektorëve profesional”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/