Telegrafi

Sindikalistët e PTK-së kundërshtojnë deklaratën e ministrit Beqaj

Nëpërmjet një komunikatë publike, sindikata vlerëson se ministri Beqaj, duket se, nuk është mjaft i informuar se si ka rezultuar privatizimi i ndërmarrjeve të telekomunikacionit në vendet e rajonit.

“Shitja e ndërmarrjeve publike në shtetet përreth si Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia ka rezultuar me mbylljen e vendeve të punës dhe me zvogëlim ose ndërprerje të investimeve në këto ndërmarrje çka do të thotë se nuk ka pasur ndikim pozitiv në zhvillim ekonomik të vendit dhe as në rritje të numrit të punësuarve. Prandaj kërkojmë nga zotëri Beqaj të është i përgjegjshëm në deklaratat e tij, gjegjësisht t’i bazojë në fakte, sepse tani mendimi i tij nënkupton qëndrim të qeverisë”, thuhet në komunikatën e sindikatës së PTK-së.

Sipas kësaj sindikate i vetmi preokupim i Qeverisë për PTK-në ka qenë marrja e dividendës dhe taksës shtetërore.

“Qeveria para se të marrë çfarëdo veprimi lidhur me PTK-në, ajo duhet të punojë që kjo kompani të trajtohet si kompani strategjike, profitabile dhe të ketë mbrojtje të veçantë”, thuhet në komunikatë.

Sipas sindikalistëve, nga dividenda dhe taksat nga viti 2009 deri tani janë dhënë me shumë 375 milionë euro.

Sindikata e PTK-së kërkon nga Qeveria që t’i anulojë vendimet që lidhen drejtpërdrejt me funksionimin dhe zhvillimin e PTK-së. /Telegrafi/