Telegrafi

Sindikalistë nga Kosova e Shqipëria kundër privatizimit të PTK-së

Kreu i sindikatës së PTK u bëri thirrje deputetëve që të mos votojnë pro procesit të privatizimit të PTK-së. “Fitimet që sjell kjo kompani duhet të shtyjnë deputetët të mendojnë se PTK nuk duhet shitur. Me shitjen e postës vetëm do të varfërohet ky vend, prandaj thoni jo privatizimit. Vendimi për privatizim do të thotë skamje e madhe për familjet kosovare”, thërriste kryesindikalisti i PTK-së, Milazim Alshiqi, transmeton Koha.

Haxhi Çovani nga Sindikata e Postë Telekomit Shqiptar, u bëri thirrje punëtorëve të PTK-së që të mos tolerojnë shitjen e pasurisë së tyre, ngase do të pësojnë sikurse punëtorët e Telekomit të Shqipërisë.

Protestën e mbajtur pranë Kuvendit të Kosovës e ka mbështetur edhe deputetët Emrush Xhemajli dhe Driton Tali, të cilët u zotuan para protestuesve se vota e tyre në Kuvend do të jetë kundër privatizimit të PTK-së. “Ne sot nuk do të duhej të protestonim pro apo kundër procesit të privatizimit të PTK-së, por të protestonim për atë se sa njerëz janë marrë në pyetje për keqpërdorime, pse nuk po ndëshkohen shkelësit e ligjit, shkelësit e Kushtetutës”, tha deputetit Driton Tali.

Kuvendi i Kosovës vendos më 30 tetor për privatizimin e PTK-së, përderisa sot pritet të mbyllet konkursi për shprehje interesi për procesin e privatizimit të PTK-së. /Telegrafi/