Jorgji Kote
Këtë shkrim po e fillojmë duke iu referuar një kënge të famshme që dallohet për disa shkaqe dhe arsye origjinale – formën dhe formatin specifik, periudhën dhe vendin e kompozimit/interpretimit, artistët elitarë që e kanë performuar dhe sidomos ajo për të cilin do të ndalemi në këtë shkrim – referenca me politikën e një superfuqie lindore si ish – Bashkimi Sovjetik. E kemi fjalën për superhitin muzikor “ I did it my way”.
Gjeografia e kësaj kënge e ka zanafillën në Angli me titullin “For me“ (Për mua). Pastaj, superylli i muzikës franceze të viteve 60-70, Claude François me tekst të Jacques Revaux në vitin 1968 e ktheu atë në hitin e njohur “Comme d’habitude” (Si zakonisht). Jehona e saj i kapërceu shpejt kufijtë e Francës dhe mbërriti në SHBA.
“Comme d’habitude” nuk kishte se si t’i shpëtonte vëmendjes së stafit të këngëtarit, aktorit dhe producentit emblematik amerikan, Frank Sinatra (1915 – 1998) Mbi bazën e të njëjtës melodi, bashkëpunëtori i tij Paul Anka shkroi një tekst të ri të titulluar “I did it my way” (E bëra sipas mënyrës time) që, në fakt, është refreni dhe fundi i këngës në fjalë.
Pak a shumë kjo këngë shpreh “filozofinë” njerëzore të Sinatrës; ai nuk ndjen asnjë keqardhje për jetën e jetuar, sepse gjërat i ka bërë në mënyrën e tij, me një jetë “plot”; kënga nuk ka kurrfarë reference me politikën. Ky superhit u vu për muaj të tërë në krye të gjitha çarteve muzikore në SHBA, Britaninë e Madhe dhe gjetkë; më vonë atë e kanë interpretuar artistë të tjerë të mëdhenj, përfshirë dhe Elvis Presleyn. Suksesi dhe jehona planetare e kësaj kënge legjendë vazhdon deri në ditët e sotme.
Dhe tani, le të shpjegojmë lidhjen/referencën e këtij hiti amerikan me titullin e këtij shkrimi, pra me politikën e më konkretisht me doktrinën e fundit të “Perandorisë” sovjetike.
Më 24 tetor 1989, lideri sovjetik Mikhael Gorbachev ndodhej për vizitë zyrtare në Helsinki. Një ditë më vonë, mëngjesin e datës 25 tetor 1989, zëdhënësi i MPJ-së sovjetike, ambasadori Gennadi Gerasimov doli në një intervistë të drejtpërdrejtë për kanalin televiziv amerikan ABC, “ Good morning America”. Moderatori e pyeti Gerasimov lidhur për doktrinën e re sovjetike mbi të ardhmen e komunizmit në vendet satelite të Evropës Qendrore dhe Lindore. Në përgjigjen e tij, zëdhënësi i mirënjohur i diplomacisë sovjetike iu referua pikërisht hitit të lartpërmendur, duke i thënë shprehimisht intervistuesit se “ju keni Sinatrën që ka një këngë të titulluar ‘I did it my way’”.
Sipas tij, kjo këngë ishte thelbi i doktrinës së re politike sovjetike që linte të nënkuptohej qartë se secili vend lindor do të duhej të ecte në rrugën dhe mënyrën e vet. Në vijim ai iu përgjigj me një “PO” të madhe pyetjes nëse kjo doktrinë do të kishte efekte të menjëhershme. Kjo do të thoshte se BRSS nuk do të ndërhynte më me trupa ushtarake në ato vende. Madje, ai përmendi shembullin e Polonisë, ku disa javë më parë ishte bërë ndryshimi i qeverisë pa ndërhyrjen e trupave sovjetike.
Po ashtu, disa javë më parë Ushtria sovjetike nuk kishte penguar kalimin e 600 shtetasve gjermano-lindorë në Sopron të Hungarisë dhe as të 6,000 të tjerëve nga Ambasada e RFGJ-së drejt Perëndimit më 30 Shtator të atij viti.
Kësisoj, “Sinatra”, siç u njoh dhe publikisht, kishte zëvendësuar doktrinën politiko-ushtarake “Brezhnjev”. Kjo e fundit lejonte BRSS-në që të ndërhynte ushtarakisht me forcat e saj të dislokuara në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore sa herë që mund të vihej në rrezik përmbysja e socializmit në këto vende.
Doktrina Sinatra ishte rrjedhojë e drejtpërdrejtë e reformave madhore “Glasnost” dhe “Perestroika” të liderit të ri sovjetik Gorbachov mbi bazën e kushteve dhe rrethanave cilësisht të reja politike, ekonomike dhe ushtarake në botë. Si pasojë e garës së shfrenuar të armatimeve, përfshirjes në të ashtuquajturën “Lufta e Yjeve” ku e futi me shumë mençuri udhëheqjen sovjetike Reagani me fillimin e viteve 80, Luftës 10-vjeçare në Afganistan, ekonomia sovjetike ishte rrënuar dhe për pasojë ishte bërë e praktikisht pamundur mbajtja e ushtrive të dislokuara në vendet e tjera lindore të Perandorisë së madhe sovjetike.
Vlen të përmendet se në vijim të takimit të mëparshëm me presidentin amerikan Ronald Reagan në New York në dhjetor 1988 dhe në prag të takimit me presidentin e ri amerikan G.H.W. Bush në Samitin historik të Maltës më 2-3 dhjetor 1989, Gorbachevi u prit si hero dhe shpëtimtar nga masat e gjera të zhgënjyera nga regjimi i Honekerit gjatë vizitës së tij në Berlinin Lindor në fillim të muajit Tetor, ku asistoi në festimet “mortore” me rastin e përvjetorit të krijimit të RDGJ-së. Shihej qartë se as Muri i Berlinit që po numëronte ditët e fundit dhe asnjë masë tjetër represive nuk mund të qetësonte më popullin e këtij vendi.
Veç presionit të papërballueshëm ndërkombëtar e sidomos atij amerikan, Doktrina e re dhe e fundit sovjetike përputhej plotësisht me Ostpolitikën e famshme të lansuar nga ish-kancelari legjendar gjerman Willy Brandt në fillim të viteve ‘70; të dyja, Ostpolitika dhe Doktrina Sinatra synonin ndryshimin e rregjimeve lindore jo me luftë, por nëpërmjet afrimit me popujt e tyre.
Kjo u pa qartë në RDGJ më 9 nëntor kur u shemb Muri i Berlinit dhe me përmbysjen e Çausheskut në Rumani më 25 dhjetor, ku ushtria sovjetike ndenji indiferente. Në fakt, Gorbachevi i kishte paralajmëruar “ të pabindurit” Honeker dhe Çaushesku për një gjë të tillë.
Dihet tashmë se si u përmbysën pa dhunë dhe armë regjimet e ndryshme lindore dhe kaluan në demokraci me sfidat dhe problemet e njohura. Në këtë drejtim ka dhe teori konspirative me emra dhe skenarë të ndryshëm etj. Por, fakti publik është se të gjitha ato ndryshime kishin në themel Doktrinën “Sinatra”; një gjetje kjo do thënë shumë e spikatur, duke zëvendësuar kësisoj “hard power” sovjetik me “soft power” amerikan.
Natyrisht, zbatimi i kësaj doktrine ishte faktori i jashtëm më i rëndësishëm, sepse dihet që shembja e komunizmit në këto vende ishte në radhë të parë rrjedhojë e krizës së paparë dhe të gjithanshme në këto vende në fundin e viteve ‘80.
Së fundi, por jo më pak e rëndësishme, duke i dhënë doktrinës së fundit sovjetike emrin e megastarit të muzikës amerikane tingëllonte bindshëm, por dhe bukur për veshët e politikanëve të lartë amerikanë dhe perëndimorë në përgjithësi.