Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, ka deklaruar se është ndaluar nga autoritetet kufitare të Serbisë gjatë kalimit në pikën kufitare të Tabanocit.
Ajo ka bërë të ditur se automjeti zyrtar i Komunës së Preshevës iu nënshtrua një kontrolli të detajuar.
Sinani ka kërkuar reagim nga bashkësia ndërkombëtare ndaj këtyre veprimeve, që i cilësoi si shkelje të të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Ajo theksoi se kjo ndalesë dhe kontrolli i imtësishëm përbëjnë një shembull të qartë të trajtimit të padrejtë ndaj shqiptarëve në këtë zonë.
“Sot, gjatë kalimit në kufirin e Tabanocit, përveç ndalesës së zakonshme, ndodhi diçka e paprecedentë. Makina zyrtare e Komunës së Preshevës u kontrollua në detaje, deri në atë pikë sa edhe ulëset u inspektuan. Pavarësisht reagimeve të mia, ndalesa vazhdoi pa ndonjë arsyetim të qartë. Ky incident dëshmon se, pavarësisht shumë ankesave dhe kërkesave tona për përgjigje nga institucionet relevante dhe faktori ndërkombëtar, situata mbetet po aq shqetësuese. Fatkeqësisht, ende nuk ka reagim nga ana e tyre,” deklaroi Sinani.
Ajo ritheksoi nevojën për reagim të shpejtë nga bashkësia ndërkombëtare për të ndalur këto shkelje./Telegrafi/