Site icon Telegrafi

Sinani dhe Arifi akuzojnë njëri-tjetrin se po i shërbejnë regjimit të Vuçiqit

Vazhdojnë përplasjet e forta mes politikanëve shqiptarë të Luginës së Preshevës.

Këshilltarja për Luginë e kryeministrit Albin Kurti, Ardita Sinani ka akuzuar së pari kryetarin e Preshevës për deklaratat kundër Kurtit.

“Kryetari në detyrë i Komunës së Preshevës edhe tash kur ka humbur krejtësisht legjitimitetin moral e politik, po vazhdon të jetë sensacion në lajmet e mediave në Beograd. Është e turpshme kur lajmet në mediat e Serbisë fillojnë me citatin e Shqiprim Arifit për kryeministrin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sinani në Facebook.

Sinani tutje ka hequr edhe një paralele ku ka krahasuar Shqiprim Arifin me Rrahman Morinën.

“Është e pafalshme që Serbia ka rigjetur një vegël të ngjashme si Rrahman Morina, që e përdor dhe kontrollon për interesat e veta kundrejt Kosovës. E ky Rrahman Morina 2.0 këto deklarata i bën çdo ditë për të mbuluar dështimin e tij në pushtetin lokal në Preshevë, por edhe për të defokusuar vëmendjen nga problemet reale”.

Sinani ka akuzuar ndër të tjera Arifin për keq menaxhim të komunës së Preshevës.

Mirëpo, ka ardhur edhe kundër reagimi i Arifit, i cili thotë se është e shantazhuar nga Vulini.

“Këshilltarja e Kryeministrit, Ardita është e shantazhuar nga bashkëpunëtorët e saj në Beograd e sidomos nga Vulini. Po të hulumtojnë agjensionet e intelegjencës dhe sigurisë se Republikë së Kosovës, ajo nuk do ta merrte certifikatën e sigurisë personale dhe rrjedhimisht nuk do të mund të dekretohej si këshilltare e kryeministrit”, ka shkruar Arifi i cili edhe ka shpërndarë një dokument.

“Në dokumentin që po ndajë me qytetarët e Republikës së Kosovë, shihet qartë se Ardita Sinani ka një padi për korrupsion pranë gjykatës së lartë të Serbisë në Nish, për skandalin e vjedhjes së mbi 100 mijë eurove nga buxheti i Komunës së Preshevës nga fondi për bujqësi dhe ndërmarrësi”.

Arifi shpreson “që Qeveria e Republikës se Kosovës nuk i ofron asaj informacione të larta shtetërore sepse do të përfundojnë tek Vulini 100%”./Telegrafi/

Exit mobile version