Telegrafi

Simpoziumi ndërkombëtar “Dita e Mamive”

Sot mbahet simpoziumi i parë ndërkombëtar “Dita e Mamive”, i cili ka për qëllim ngritjen e vetëdijes dhe interesimit të profesionistëve dhe studentëve të rinj të drejtimit të mamisë, mbi rëndësinë e punës, projekteve e hulumtimeve shkencore.

Ky është projekt i Organizatës për Arsim, Shkencë dhe Shëndetësi “KISCOMS”, i cili po ashtu ka për qëllim edukimin dhe zhvillimin e vazhdueshëm profesional të profesionistëve dhe studentëve të drejtimit të mamisë, duke mundësuar akumulimin e kredive të nevojshme për licencim dhe ri-licencim.

Në simpoziumin ndërkombëtar “Dita e Mamive”, profesionistët e lëmive të ndryshme të mamisë do të prezantojnë punën e tyre edukative, shëndetësore, hulumtuese e shkencore.

Simpoziumi ndërkombëtar “Dita e Mamive”, pos ligjëratave plenare të përzgjedhura, do të ofrojë edhe kurse e trajnime profesionale, si dhe referues të ftuar nga ekspertiza e mamisë në nivel ndërkombëtar.

Marrë parasysh se simpoziumi organizohet për nderë të Ditës Ndërkombëtare të Mamive, ky projekt do të jetë tradicional, duke iu dhënë në këtë mënyrë vendin e merituar dhe respektin eksperteve të fushës së Mamisë për kontributin në ruajtjen e shëndetit oral, edukimin e gjeneratave te reja, ngritjen profesionale si dhe afirmimin shkencor dhe hulumtues.

Simpoziumi i parë ndërkombëtar “Dita e Mamive”, realizohet në bashkëorganizim me Ministrinë e Shëndetësisë, Shoqatën e Mamive të Kosovës, Odën e Infermierëve, Universitetin e Prishtinës „Hasan Prishtina“, Universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani“, Kolegjin “Fama“, Zyrën e UNFPA-së në Prishtinë, Institucionin e Avokatit të Popullit, si dhe institucionet tjera shtetërore, shëndetësore, arsimore e shkencore në Republikën e Kosovës.