Site icon Telegrafi

Simovski: Interesimi për vetëregjistrimin e diasporës rritet vazhdimisht

Drejtori i Entit Shtetëror për Statistikë, Apostoll Simovski dhe drejtori i Agjencisë së Migrimeve, Sllobodan Bliznakovski sot mbajtën takim pune kushtuar aktiviteteve vijuese lidhur me vetëregjistrimin e shtetasve të Maqedonisë së Veriut.

Vetëregjistrimi i diasporës është në vijim nga 1 marsi, ndërsa do të përfundojë më 21 prill

Siç qëndron në kumtesën e Sektorit të marrëdhënieve me opinionin, sot në mëngjes numri i të vetëregjistruarve ishte 137.111 persona, që paraqet rritje të numrit të përgjithshëm prej 7.102.

Në takim u theksua se dy institucionet janë të kënaqura nga jehona dhe presin ky numër të rritet vazhdimisht.

Enti Shtetëror për Statistikë si edhe Agjencia e Migrimeve, theksohet në kumtesë, janë në komunikim të rregullt me diasporën dhe vazhdimisht janë në dispozicion për përgjigjen e të gjitha çështjeve dhe dilemave.

“Dy drejtorë edhe njëherë e theksuan rëndësinë e regjistrimit të shtetasve të Maqedonisë së Veriut të cilët më gjatë se një vit jetojnë jashtë vendit. Në këtë mënyrë ata kanë mundësi të regjistrohen në bazën e popullatës jorezidente, ndërsa këto të dhëna shtetit i nevojiten për planifikim përkatës dhe përmirësimin e shërbimeve të cilat përfaqësitë diplomatike-konsullore i ofrojnë, si edhe për përmirësimin e politikave brenda në shtet”, thuhet në kumtesë.

Drejtori Simovski dhe drejtori Bliznakovski u kanë bërë apel të gjithë aktorëve në shoqëri t’i bashkohen thirrjes që diaspora ta shfrytëzojë këtë mundësi unike dhe të regjistrohet në numër sa më të madh.

Exit mobile version