Site icon Telegrafi

Simone Biles fiton medaljen e gjashtë të artë olimpike

Simone Biles e ka fituar medaljen e gjashtë të artë olimpike para një numri të madh shikuesish të enjten mbrëma në Lojërat Olimpike të Parisit.

Ajo e ka rikonfirmuar se është gjimnastja numër një në garën në të gjitha veglat, tre vjet pasi ishte tërhequr nga finalja e njëjtë në të cilën shkëlqeu të enjten.

Ajo triumfoi në finalen “All-Around”, por ishte paralelja e shkallëzuar që e bëri diferencën në këtë triumf të saj.  Shfaqi nivelin më të lartë edhe në gjitha veglat tjera. Të artën e siguroi me totalin e 59.131 pikëve, vetëm 1.999 pikë më shumë se rivalja e saj braziliane, Rebeca Andrade.

Andrade e fitoi medaljen e dytë rresht në këtë garë, ku gjimnastet duhet t’i shfaqin aftësitë e tyre në katër vegla të ndryshme. Gjimnastja e ekipit të Bilesit, Sunisa Lee, kampione në “All-Around” në Tokio para tre vjetësh, pati start të dobët dhe e fitoi të bronztën me 56.465 pikë.

Biles e fitoi medaljen e dytë të artë në Lojërat Olimpike në Paris, dhe titullin e dytë olimpik në “All-Around”. Ajo e fitoi të artën në ngjarjen individuale edhe në “Rio 2016”. Po ashtu, e artë ishte edhe në garën ekipore më herët gjatë kësaj jave. /Telegrafi/ 

Exit mobile version