Ish-shefi i gjyqtarëve të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), Malcolm Simmons, ka këshilluar Kosovën të jetë më e ashpër në raport me Bashkimin Evropian në çështjen e mosliberalizimit të vizave.
Simomons, në një postim në llogarinë e tij në Twitter, ka thënë se është koha që Kosova t’i thotë BE-së “jemi lodhur nga lojërat e juaja”.
“A nuk është koha që Kosova t’i thotë BE-së: ‘Ne jemi lodhur nga lojërat që po i luani’. Nuk do të ketë bashkëpunim të mëtejshëm me ju përveç dhe derisa të shohim ndonjë përparim nga pala e BE-së?”, ka shkruar Simmons.
Is it not time that Kosovo said to the EU: "We are tired of the games you are playing. There will be no further cooperation with you unless and until we see some progress from the EU side"? https://t.co/6nSgtts0bt
— Judge Malcolm Simmons (@SimmonsJudge) February 28, 2021
Simmons kishte dhënë dorëheqje nga EULEX-i në vitin 2017, duke akuzuar këtë mision si politik dhe jo mision që promovon shtetin ligjor.
Simmons e kishte akuzuar BE-në se nuk i kishte marrë parasysh paralajmërimet e tij për raste korrupsioni brenda EULEX-it.
Malcolm Simmons, i cili është shprehur i gatshëm të dëshmojë në Kuvendin e Kosovës për, siç ka thënë ai, shkeljet që janë bërë gjatë gjykimeve nga ana e EULEX-it në Kosovë. /Telegrafi/