Telegrafi

Simiq: Rrokullisja e kamionit nga VV, arsye e kaosit në Kosovë

Kryetari i Listës Serbe, Slavko Simiq ka thënë se rrokullisja e kamionit me produkte serbe sot në fshatin Lupç të Poshtëm të Podujevës nga aktivistë të Vetëvendosjes është shenjë e vazhdimit të kaosit që po shkaktojnë partitë opozitare në Kosovë.

Sipas tij, është e papranueshme që pakënaqësitë në mes partive shqiptare të ndikojnë tek populli serb që jeton dhe udhëton nëpërmes Kosovës.

Simiq për mediat serbe tha se sipas informatave, shoferi i kamionit që është i përkatësisë serbe nuk është lënduar, por rrokullisja dhe hedhja e prodhimeve në rrugë gjithsesi që për të është traumatike.

Aktivistët e Vetëvendosjes sot kanë rrokullisur një kamion që vinte nga Serbia në Kosovë me siç është thënë pretekstin si kundërpërgjigje ndaj Serbisë e cila ka kthyer me mijëra libra shqip që ishin dërguar nga Kosova për nxënësit shqiptarë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc.

Siç raporton Tv Most kamioni transportonte pije freskuese “Coca Cola”.