Telegrafi

Simboli kombëtar, drejt zhdukjes: Në tokën e shqiponjave, shqiponja mund të mbetet veç në flamur!?

“Shumë shpejt, shqiponja do mbetet vetëm në flamur,” shkruan agjencia e njohur AFP.

Në reportazhin e agjencisë thuhet se shpendi fisnik po zhduket për shkak të gjuetisë së pakontrolluar.

Shumë pranë Tiranës, një shqiponjë shitet në rrugë për vetëm 55-85 euro.

Pavarësisht se është një shpend i mbrojtur, gjuetia ndaj shqiponjave nuk njeh të ndaluar.

Eksperti Mirjan Topi thotë se numri i këtyre shpendëve është reduktuar në mënyrë të tmerrshme.

Ai thotë se 25 vjet më parë ishin rreth 200 çifte shqiponjash të arta, por tani kanë mbetur diçka më pak se gjysma.

Një pronar lokali në Orikum thotë me krenari se ka blerë një shqiponjë për 400 euro dhe e ka vendosur në krah të flamurit. Shumica e shqiponjave vendosen nëpër lokale e restorante.

Shqipëria ka vendosur një moratorium gjuetie në vitin 2014, për të ndaluar së paku tremijë gjahtarë italianë që kanë vrarë në Shqipëri mbi 150 mijë zogj. Por, efikasiteti i këtij moratoriumi mbetet i limituar, shkruan agjencia.