Në prag të seancës së Gjykatës Kushtetuese, e cila të mërkurën, më 11 dhjetor, duhet të diskutojë për dispozitat kontestuese të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, Presidentja e shtetit në Maqedoninë e Veriut bëri thirrje për qetësi dhe përmbajtje përcjell “DW”.
“Qoftë partiake, personale apo subjektive, vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe të zbatueshme dhe liderët e partive dhe politikanët duhet të përmbahen nga komentet. Më e pakta që mund të bëjnë është që Gjykata Kushtetuese të punojë në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e punës”, tha presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, duke komentuar deklaratat e kryetarit të partisë BDI, Ali Ahmeti, në prag të vendimit të Gjykatës për Ligjin për Gjuhët.
Kryeministri Hristijan Mikoski thotë se procesi në Gjykatën Kushtetuese mund të zgjasë me muaj, madje edhe vite. Ai ka dërguar një mesazh qetësie për të gjithë qytetarët dhe të mos lejojnë të keqpërdoren.
Lënda e Ligjit për Gjuhët përbëhet nga 13 iniciativa nga qytetarë, parti politike, shoqata të ndryshme, është themeluar në vitin 2019 dhe është bërë aktual pas vërejtjeve të Komisionit të Venecias. Parashtrues të iniciativave për kundërshtimin e dispozitave të Ligjit për përdorimin e gjuhëve janë partitë OBRM-PDUKM dhe Levica, Shoqata “Kongresi Botëror Maqedonas”, Solza Gërçeva, Tanja Karakamisheva Jovanovska, Jove Kekenovski, si dhe Vasko Lazeskii, Ivana Mitevska, Tome Todorovski, Klementina Brzanovska dhe Vlladimir Stefanovski./Telegrafi/