Presidentja Gordana Siljanovska Davkova priti sot ambasadoren e SHBA-së Angela Aggeler.
Në takim, siç informojnë nga kabineti presidentes, është biseduar për mundësitë për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, për integrimet euroatlantike të Maqedonisë, si dhe për potencialin që ofron Dialogu Strategjik për konkretizimin e bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy vendeve.
Siljanovska Davkova falënderoi për mbështetjen e gjithanshme nga SHBA-të dhe theksoi gatishmërinë për thellimin e mëtutjeshëm të miqësisë maqedono-amerikane dhe mbështetjen e ndërsjellë në drejtim të realizimit të qëllimeve të politikës së jashtme të Maqedonisë.
“Presidentja theksoi se si partner i qëndrueshëm dhe aleat i dëshmuar i Shteteve të Bashkuara në Aleancën e NATO-s, ne mbetemi të fokusuar në synimet e përbashkëta të sigurisë, lirisë dhe prosperitetit demokratik, me pjesëmarrje aktive në aktivitete të përbashkëta në luftën kundër terrorizmit dhe kërcënimeve të tjera për paqen në botë.
Duke theksuar se integrimi evropian ka një ndikim pozitiv në konsolidimin demokratik dhe ekonomik të vendeve të rajonit, presidentja theksoi nevojën për një integrim të përshpejtuar evropian. Në këtë drejtim, ajo ka treguar se procesi për anëtarësim në BE duhet të vlerësohet sipas meritave të tij dhe të mos pësojë presione politike nga shtetet e tjera anëtare”, thuhet në njoftim./Telegrafi/