Telegrafi

“Sigurohen mjetet financiare për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë dhe Gostivar-Kërçovë”

Foto: Ilustrim

“Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim do të përfshihet në financimin e ndërtimit të autostradës Shkup-Bllace dhe Gostivar-Kërçovë”, këtë e njoftoi ministri i Financave, Dragan Tevdovski në takimet vjetore në BERZh, që mbahen në Sarajevë.

“Në takimet vjetore të BERZh kishim mundësi të flasim për bashkëpunimin e tashëm, por edhe të ardhshëm me bankën. U dakorduam për periudhën e ardhshme të ndërtojmë  rrugë të rëndësishme në vendin tonë. Këto janë autostrada Shkup-Bllace dhe Kërçovë-Gostivar, përkatësisht faza e parë Kërçovë-Bukojçani”, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Ai theksoi se po kërkojnë dhe janë siguruar edhe grand mjete për ndërtimin e këtyre rrugëve. Për rrugën Kërçovë-Bukujçani përmes Instrumentit për Ballkanin Perëndimor janë siguruar 20 milion euro, ndërsa për Shkup-Bllace pritet grand mjete nga BERZh në vlerë prej 27 milion eurove deri në fund të vitit.

“Janë mjete të pakthyeshme. Këto janë projekte të mira për shkak se ndërtohet infrastrukturë që do të ndikojë edhe te rritja ekonomike, por gjithashtu do t’i përmirësojë kushtet për jetesë të qytetarëve të vendit tonë”, thotë Tevdovski.

Ndryshe, BERZh në sektorin publik në vend financon më së shumti projekte infrastrukturore rrugore dhe hekurudhore./Telegrafi/