Site icon Telegrafi

Sigurohen 1.2 milion euro për Zonën Ekonomike në Lumadh të Vushtrrisë

Në një debat publik me banorët e Lumadhit dhe të dy fshatrave të zonës, Stanovc i Epërm dhe Stanovc i Poshtëm, kryetari i Vushtrrisë Xhafer Tahiri ka premtuar se me funksionalizimin e Zonës së Lirë Ekonomike në Lumadh do të punësohen 1 mijë të rinj vushtrrias, ndërsa përparësi në punësim do të kenë banorët e këtyre fshatrave, shkruan sot Gazeta “Zëri”

Kanë vazhduar përgatitjet për fillimin e realizimit të projektit të Zonës së Lirë Ekonomike në Lumadh të Vushtrrisë.

Në një sipërfaqe prej 14 hektarësh, që gjendët buzë rrugës rajonale Vushtrri – Prishtinë, do të vendoset një numër i bizneseve vushtrriase, por edhe nga rajonet e tjera të vendit, pasi që hapësira krijon kushte ideale për zhvillimin e të gjitha veprimtarive të bizneseve.

Kryetari i Vushtrrisë Xhafer Tahiri, i cili ka konkretizuar idenë e tij menjëherë pasi ka marrë qeverisjen me Komunën e Vushtrrisë, ka mbajtur një debat publik me banorët Lumadhit, si dhe me banorët e dy fshatrave të zonës, Stanovcit të Poshtëm dhe Stanovcit të Epërm, shkruan tutje “Zëri”.

Tahiri atyre ua ka prezantuar projektin, ndërsa përfaqësues të bizneseve vushtrriase, por edhe përfaqësues të fshatrave Lumadh, Stanovc i Epërm dhe Stanofc i Poshtëm, janë pajtuar për ndërtimin e Zonës së Lirë Ekonomike në fshatin Lumadh të Vushtrrisë.

Në prezantimin e këtij projekti, ku kryesisht kanë marrë pjesë përfaqësues të bizneseve, por edhe të fshatrave përreth zonës ku do të ndërtohet Zona e Lirë Ekonomike, kryetari i komunës Xhafer Tahiri ka folur për investimet që do të bëhen aty.

“Në Zonën e Lirë Ekonomike në Lumadh, që përfshin një hapësirë prej 14 hektarëve, synojmë t’i punësojmë 1000 persona”, ka thënë Tahiri.

Kryetari Tahiri ka bërë të ditur se tashmë nga buxheti i shtetit janë siguruar 1.2 milion euro për investime në periudhën 3-vjeçare në Zonën e Lirë Ekonomike në Lumadh./Telegrafi/

Exit mobile version