Telegrafi

Sigurimi i makinave, çmimi vendoset nga kompanitë

Ligji aktual parashikon që kjo tarifë për autoveturat të mos jetë nën 11 mijë lekë në vit. Ndryshimi i ligjit parashikon që do të jenë vetë kompanitë e sigurimit ato që do të përcaktojnë, në bazë të tregut, se sa do të jetë çmimi i siguracionit të detyrueshëm.

Pas miratimit nga Kuvendi të ndryshimit ligjor, pagesa e sigurimit të detyrueshëm për 427 mijë makina do të kushtojë më lirë dhe qytetarët do të shohin një konkurrencë më direkte në treg.

Në nenin e ndryshuar nga qeveria, thuhet se AMF miraton rregullat për përcaktimin e kushteve të përgjithshme të sigurimit të detyrueshëm dhe nivelit të provigjoneve teknike. “Shoqëria e sigurimit përcakton vetë tarifat e primit të sigurimit, sipas kushteve të tregut dhe fillon t’i zbatojë ato, pasi njofton zyrtarisht autoritetin”.

Në nenin e ndryshuar parashikohet që “Pavarësisht tarifave të liberalizuara të primit të sigurimit të detyrueshëm, shoqëritë e sigurimit krijojnë rezervat teknike (provigjonet), jo më pak se niveli i provigjoneve të përcaktuara nga autoriteti”.

Me miratimin e ligjit, të 427 mijë qytetarët që kanë makina ose, më saktë të 267 mijë qytetarët që paguajnë siguracion vjetor të detyrueshëm për makinën, do të paguajnë më pak./Telegrafi/