Drejtoria e Mirëqenies Sociale në Pejë e sheh sigurinë si pjesën më të ndjeshme më të cilin ky institucion përballet.
Problemet e shumta të qytetarëve herë pas here sjellin probleme në këtë institucion i cili i dedikohet atyre.
Për drejtoreshën e këtij institucioni, Albulena Mujaj Bajraktaraj, siguria mbetet ndër sfidat më të mëdha. Ao për Telegrafin ka potencuar vështirësitë e menaxhimit të kësaj situate duke pasur parasysh sipas saj edhe incidentet që kanë ndodhur më parë në qendrat për mirëqenie sociale.
“E vetmja sfidë të cilën e kisha theksuar është çështja e sigurisë në objektet e Qendrës për punë sociale, duke e ditur që këtë objekt e frekuentojnë njerëz që janë me probleme, telashe, njerëz që janë ose viktima të luftës ose në një formë edhe njerëz që ushtrojnë dhunë, në momentin që siguria nuk është në nivel atëherë edhe rrezikshmëria për punëtorët social rritet”, është shprehur Mujaj Bajraktaraj.
Sipas saj, ngjarja e ndodhur më herët në Ferizaj në Qendrën për Mirëqenie Sociale ka ndikuar që edhe Peja të ketë një sigurim në hyrje, por ajo shton se kjo gjë është e pamjaftueshme.
“Ne jemi dëshmitar të ngjarjes së fundit që ka ndodhur në Qendren sociale në Ferizaj edhe ka ndodhur vrasja, kështu që në kuadër të saj ne posedojmë një sigurim në hyrje, por që për mendimin tim është i pamjaftueshëm sepse niveli i rrezikshmërisë është mjaft i lartë”, ka përfunduar ajo.
Drejtoria për Mirëqenie Sociale në Pejë tani ka objektin e ri, i cili i plotëson të gjitha kushtet të cilat nevojiten për ti ndihmuar qytetarëve të shumtë të cilët kryejnë shërbimet aty. /Telegrafi/