Site icon Telegrafi

Siguria në rrugë, përgjegjësi e të gjithëve

Siguria rrugore në Kosovë, ende nuk është në nivelin e duhur dhe se duhet një sensibilizim i të gjithë faktorëve relevant, me qëllim që siguria në rrugë të jetë në nivel me të kënaqshëm. Kështu u tha në Konferencën e Pestë Ndërkombëtare “Auditimi i sigurisë rrugore dhe zvogëlimi i aksidenteve në trafik”, organizuar nga Kolegji “Tempulli”, Instituti i Sigurisë Rrugore dhe Hulumtimeve në Transport dhe Asociacioni Kosovar i Motorizimit “AMRKS”.

Muhamet Krasniqi drejtor i Kolegjit “Tempulli”, tha se siguria në rrugë, është përgjegjësi e përbashkët e të gjithëve dhe jo vetëm e një institucioni.
“Siguria në rrugë është një përgjegjësi e përbashkët e cila nuk i takon vetëm Qeverisë apo policisë. Por është një përgjegjësi, që na takon gjithë neve. Secilit prej nesh i cili është përdorues i rrugës. Mua më gëzon fakti që shoh zyrtarë të Qeverisë dhe institucioneve tjera, shoqërisë civile bizneseve, profesorëve, kolegëve ekspertëve dhe do të doja nga të gjithë një qasje pro aktive, me qëllim të uljes së numrit të aksidenteve në rrugë. Kjo konferencë megjithatë shpresoj të mos jetë një top shop, por të jetë një mundësi e vërtetë për të diskutuar”, tha ai.

Ndërkaq zëvendësministri i Infrastrukturës Rexhep Kadriu, tha se institucioneve u duhet një përkushtim dhe punë më e madhe, me qëllim që të zvogëlohen aksidentet në rrugë. Ai tha se Ministria e infrastrukturës, po merr masa për parandalimin e aksidenteve në trafik, duke filluar nga inspektimi i të gjitha kontrolleve teknike si dhe sinjalizimi i rrugëve në Republikën e Kosovës.

“Institucioneve tona, na duhet një punë e madhe, një përkushtim i madh që ta zvogëlojmë numrin e aksidenteve me fatalitet. Është shqetësuese për një vend me 2 milion banor, të kemi 130 aksidente me fatalitet për një vit. Kjo është për të ardhur keq. Por ne jemi ata të cilët duhet të bëjmë përpjekje çdo ditë, çdo natë 24 orë në shtatë ditë, që sa më parë ta zvogëlojmë këtë numër të vdekjeve të qytetarëve tanë“, tha ai.

Ndërkaq shefi i Kabinetit të ministrit të Arsimit Fehmi Hysenaj tha se Kosova ka arritur që të ketë investime të mëdha në rrugë, mirëpo siguria në rrugë, nuk është ende në nivelin e duhur. /Kp/Telegrafi/

Exit mobile version