Inovacioni dhe teknologjia po zhvillohen në një ritëm të shpejtë, andaj sulmet kibernetike janë bërë kërcënim i madh për sigurinë dhe privatësinë në Kosovë dhe mbarë botën, për çka duhet angazhim i përbashkët me institucionet dhe akademinë. Kështu u tha në Konferencën Ndërkombëtare për Siguri Kibernetike dhe Privatësi, organizuar nga Cyber Security and Privacy dhe UBT, mbështetur edhe nga Ministria për Inovacion dhe Ndërmarrësi.
Në ditën e parë të punimeve, konferenca mblodhi përfaqësues të institucioneve shtetërore, përfaqësues nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Kroacia, Bullgaria, përfaqësues të Agjencionit të Bashkimit Evropian për Sigurinë e Rrjetit dhe Informacionit (ENISA), të kompanive të njohura në botë, si Facebook, Google, HackerOne, etj.
Hapjen e edicionit të katër të kësaj konference e ka bërë rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, i cili theksoi se kjo ngjarje ka për qëllim vetëdijesimin e popullatës për siguri kibernetike, andaj kërkoi edhe bashkëpunim për mbrojtje nga sulmet kibernetike.
“Sigurisht, është ngjarja më e madhe dhe Kosova e meriton një konferencë të tillë. Duke marr parasysh pjesëmarrjen e madhe të Kosovës në fushën e IT, kjo është një nevojë. Kjo është çështje serioze. Me rritjen e digjitalizimit ne mund të kemi probleme në aspektin financiar dhe gjëra të tjera. Nëse humbin të dhënat, prej tyre 40 për qind nuk mund të rikthehen. Pra nuk është një dëshirë, por është një masë e nevojshme që të merret seriozisht. Në të gjitha fushat ka nevojë në Ballkanin Perëndimor, po ashtu edhe Kosova. Element që duhet bërë është partneriteti që të parandalohen krimet kibernetike në mënyrë që të reagojmë”, potencoi rektori Hajrizi.
Tutje, rektori Hajrizi, tha se UBT ka arsim cilësor, merret me shkencë dhe si institucion gjithnjë do të kontribuojnë për siguri kibernetike.
“Ne si UBT kemi liri të veprojmë sepse kemi të akredituar programe për siguri kibernetike, ofrojmë trajnime, kemi krijuar CERT-in, gjitha këto mundësi janë për ti ofruar studenteve ambient adekuat në mënyrë që ata të punojnë në ngritjen e kapaciteteve”, tha Hajrizi.
Me anë të një videoprezantimi nga SHBA, ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, tha se është e nevojshme që shteti i Kosovës të krijojë ambient të sigurt për mbrojtjen e të dhënave.
“Secili qytetar secili institucion bashkërisht të merremi me aktivitete të cilët duhet të krijojmë një ambient sa më të sigurt për të dhënat të cilat kanë përhapjen e të dhënave, por njëkohësisht për fëmijët të cilët janë të ekspozuar në mënyrë masive gjatë kësaj periudhe në rrjete sociale të cilët mund të denigrojnë funksionimin e tyre”, tha Beqaj.
Gjithashtu, kryetari i Cyber Security and Privacy, Mentor Hoxhaj, tregoi se synimi i këtij komuniteti është që edhe Kosova të jetë pjesë ose të identifikohet në hapësirën kibernetike, duke shhtuar se vendit i mungojnë edhe standardet e sigurisë dhe privatësisë kibernetike.
“Ky është fillimi duhet të vazhdojmë dhe objektivat janë që të ngiten standarde dhe më pas edhe të aplikohen. Qytetarët e Kosovës duhet të jenë të identifikueshëm në hapësirën kibernetike, mundësia qe na mos të identifikohemi paraqet rrezik të jashtëzakonshëm”, tha Hoxhaj.
Ndërkaq, kryetari i Bordit të ARKEP-it, Kreshnik Gashi, tregoi se krimet kibernetike në botë shkaktuan 3 bilion dollarë dëme, ndërkaq siç tha ai, parashihet që kjo shifër të rritet në 6 bilion dollarë në vitin 2021.
“Krimi kibernetikë po prek çdo pjesë të jetës. Në këtë fazë askush nuk është imun nga krimi kibernetikë. Duhet të ekzistoj bashkëpunimi që të paktën mbrojtja duhet të jetë e pranueshme. Aktualisht në top 10 kompanitë më të mëdha, katër janë nga teknologjia informative. Të rinjtë e Kosovës po e shohin mundësinë të hyjnë në tregun botëror. Fokusi në teknologji informative është fokus në të ardhmen. Kjo konferencë do të ndikoj pozitivisht në edukimin qytetar dhe rritjen e vetëdijes”, tha Gashi.
Pjesë e diskutimeve në ketë konferencë ishte edhe përfaqësuesja e Facebook-it, Gabriella Cseh, e cila tha ky rrjet social është i fokusuar në çështjet që kanë të bëjnë më mbrojtjen e të dhënave, privatësinë, të drejtat e njeriut dhe internetin, tregun digjital, sigurinë në internet, internetin e hapur etj.
“Viteve të fundit Facebook dhe Instagram kanë qenë të ngarkuara duke u marrë me këto probleme, kanë qenë probleme sociale të publikut. Në fakt jemi marrë me këto çështje dhe kjo është rruga që po vazhdojmë të ecim dhe jam shumë lumtur për privatësinë e përdoruesve që përdorin rrjetet sociale nga shtëpitë e tyre. Është një diskutim i madh në botë kur është fjala për rregullat e përdoruesve, nëse e dimë që interneti është kaq i rëndësishme dhe të afektonte secilën pjesë të jetës sonte, përdoruesit duhet të ishin në gjendje të përcjellin rregullat e Facebook-it. Do të ketë zgjidhje vitet e ardhme dhe ne po mundohemi të mbrojmë integritetin e Kosovës, po këto probleme janë shumë të mëdha dhe ne po punojmë në gjetjen e zgjidhjeve”, potencoi Cseh.
Profesori i Stanford University, Burton Lee, tha se organizimi i konferencave të tilla ndihmon shumë përdoruesit për vetëdijesim të sigurisë dhe privatësisë.
“Është e rëndësishme sepse është sfidë globale dhe shumë serioze. Në kohën e digjitalizimit, është një ndryshim që vjen me të panjohura, nëse e shohim aspektin e sigurisë dhe privatësisë në cilësinë e përdoruesit mendoj se teknologjia zhvillohet shpejt dhe për ketë arsye konferenca të tilla janë shumë të rëndësishme. Nga perspektiva e zhvillimit të teknologjisë”, deklaroi Lee.
Pjesë e paneleve të diskutimit ishin edhe Mërgim Canhani nga Gjirafa, Kujtim Gashi nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit, përfaqësues të Flash Strat – Line Tech, Holger Unterbrink, Kastriot Fetahaj, Ibrahim Kistak, Yasser Ali, Lek Zajmi.
Konferenca do të vazhdojë punimet të enjten, më 16 maj, me fillim nga ora 09:00.
Artikull i sponsorizuar