Site icon Telegrafi

Siguria e Greqisë për ndarjen e detit

Ilustrim

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, deklaroi në Parlamentin helen se “Greqia do t’i shtrijë ujërat e saj territoriale perëndimore nga gjashtë në 12 milje detare”, duke konfirmuar deklaratën e kryediplomatit grek një ditë më parë se Greqia është e vendosur të mbyllë marrëveshjen me Shqipërinë. Dendias, nga ana e tij, tha se do të jetë në Tiranë për bisedime me homologun shqiptar (kryeministrin që është edhe ministër i Jashtëm), për demarkacionin e kufijve detarë midis dy vendeve. Frika është se Greqia po kërkon të marrë nga Shqipëria atë që nuk arriti pas marrëveshjes së majit 2009 kur kryeministër ishte Sali Berisha, që sot nuk tha asnjë rresht për kryelajmin e ditës, por postoi videon me mollët e Devollit të prishura nga breshëri.

Dhe, ironia e fatit është se, nëse nënshkruhet marrëveshja, firmosësi nga pala shqiptare do të jetë po ai ish-kryetar opozite që një dekadë më parë çoi marrëveshjen e Berishës për paktin detar me Greqinë në Gjykatën Kushtetuese. Vendimi i kësaj të fundit, që mediat turke thanë se u bë pas presionit të Ankarasë, për të mos krijuar precedentin e 12 miljeve edhe në ishujt afër shelfit kontinental turk, mund të jetë vendosës për marrëveshjen Greqi-Shqipëri edhe tani, kur Turqia dhe Greqia janë në prag të luftës, duke alarmuar NATO-n dhe diplomacinë botërore, pasi luftanijet e tyre janë vënë përballë në Mesdheun Lindor.

Siguria e Greqisë për të mbyllur marrëveshjen me Shqipërinë bazohet te ujdia që mund të jetë bërë dy vite më parë nga ekipet negociatore të udhëhequra nga ish-ministrat e jashtëm të Greqisë dhe Shqipërisë, Nikos Kotzias dhe Ditmir Bushati. Ky i fundit garantonte se pala greke do të njihte baraslargësinë. Por, nisur nga ku? Në paktin detar të vitit 2009 ky ishte problemi, sepse Greqia njihte si pjesë të shelfit kontinental edhe ishuj fare të vegjël, si Othonoi, që sipas ekspertëve, është pjesë e Bashkësisë së Ujdhesave Joniane dhe të Bashkësisë së Korfuzit dhe s’mund të merret si pikë referimi për baraslargësinë. Pikërisht Othonoi, 22 kilometra larg Korfuzit, me sipërfaqe prej 10.8 kilometra katrorë dhe një popullsi prej 650 banorësh kryesisht gjatë verës, ishte marrë për bazë që Shqipërisë t’i merreshin mbi 255 kilometër katrorë sipërfaqe detare.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese në prill 2010, që rrëzoi paktin detar thotë për këtë ishull se: “Gjykata çmon se procesi i delimitimit duhet të kishte kaluar përmes disa fazave të cilat çojnë në adoptimin e një vije kufitare provizore që më pas korrigjohet në funksion të parimit të Ekitesë. Në këtë kuptim, duhej të ishte vlerësuar veçmas jo vetëm ndikimi i ishujve të banuar Lazareto, Erikuza dhe Othonoi, por edhe i vetë ishullit kryesor të Korfuzit. Marrëveshja u jep (padrejtësisht) që të gjithëve efekt të plotë në caktimin e vijës kufitare, duke i barazuar plotësisht me dheun kontinental të vendit tonë”. Kjo duhet të jetë e panegociueshme për Shqipërinë. Ndryshe, çdo marrëveshje tjetër me baraslargësi të paligjshme është tradhti kombëtare dhe nënshkruesit janë tradhtarë e duhen gjykuar si të tillë.

Exit mobile version