Shënimet për tri pikë janë një armë e fortë e prishtinasve e këtu rol të madh mund të luajë Alban Veseli, i cili është optimist para ndeshjes së sotme.
“Balkani është skuadër mjaft cilësore veçmas si vendëse ku nuk di për humbje. Mirëpo, ne shkojmë për fitore dhe besoj se do ta arrijmë qëllimin”, tha Veseli për Zërin, i bindur se bullgarëve do t’u prishet seria e fitoreve si vendas.
“Mendoj se do t’ua prishim serinë pozitive si vendas dhe do t’i mposhtim. Besoj se do të bëjmë lojë të fortë si në mbrojtje po ashtu edhe në sulm dhe të realizojmë qëllimin tonë. Jemi komplet dhe kjo na bën edhe më të motivuar për të arritur deri te fitorja, e cila do të jetë shumë me rëndësi në vazhdim të kampionatit. E dimë se ata si vendas nuk kanë humbur qe një kohë dhe kjo nënkupton se nuk do të jetë lehtë të përballemi kundër tyre”, shtoi ai për gazetën.
Sigal Prishtina në rast se fiton sonte do të bëhet lider në Ligën Ballkanike me 17 pikë. /Telegrafi/