Bardhekaltërit e nisën me seriozitet ndeshjen dhe menjëherë u shkëputën në rezultat për ta përmbyllur çerekun e parë me 15 pikë epërsi, 28-13.
Në çerekun e dytë vendasit e morrin kontrollin e lojës në tërësi dhe pothuajse bënin shaka me kundërshtarin pasi shënonin si të donin dhe kur të donin, e epërsia u thellua në 29 pikë, 62-33.
Çereku i tretë dhe i katërt u zhvilluan vetëm sa për hir të protokollit pasi që fituesi i këtij takimi tashmë veç dihej, megjithëkëtë bardhekaltërit vazhduan të dhurojnë spektakël për edhe ata pak shikues të cilët ishin të pranishëm në palestër, duke e përmbyllur kështu takimin me epërsi të lartë prej 42 pikëve, 121-79.
Më të dalluarit në radhët e Sigal Prishtinës ishin Dardan Berisha dhe Alban Veseli, teksa për Teleboys u dalluan Darrio Green e Jeremy Price.
Sigal Prishtina me këtë fitore mbetet lider në ETC Superligën e Kosovës me 27 pikë, dhe me këtë ndeshje e ka përmbyllur ciklin e parë të ndeshjeve të këtij edicioni, teksa RTV 21 mbetet në pozitën e shtatë me 16 pikë. /Telegrafi/