Drejtuesit e klubit dhe vetë lojtarët kanë shprehur optimizëm se garat ndërkombëtare do t’i nisin mbarë, derisa objektivi i tyre arritja në mesin e katër ekipeve më të mira. Kapiteni i Sigal Prishtinës, Edmond Azemi, përveç fitores ndaj skuadrës nga Maqedonia, ka thënë se play-offi është objektivi i tyre, andaj për të arritur këtë objektiv, në çdo ndeshje duhet të kërkojnë fitore.
“Kjo është një sfide e re për neve. Paraqitemi për herë të parë zyrtarisht në arenë ndërkombëtare, në Ligën Ballkanike. Presioni është më i madh për ne, por pavarësisht kësaj ne do ta japim maksimumin”, tha Azemi.
“Do të jetë shumë vështirë. Tash e dimë se më nuk janë dy grupe, është veç një grup kështu që do të ketë shumë lojë, shumë udhëtime dhe kjo ndikon edhe në lodhjen e lojtarëve. Mirëpo, ne jemi të përgatitur për këtë dhe besojmë se në fund do ta arrijmë objektivin tonë, që të futemi në katërshen e madhe dhe të garojmë në finalen e kësaj gare”, shtoi kapiteni bardhekaltër.
Ndeshja Kumanova – Sigal Prishtina zhvillohet sot nga ora 17:30 në Kumanovë dhe drejtohet nga treshja e Malit të Zi, Zoran Sutuloviq, Ognjen Jokiq dhe Milosav Kalluxheroviq. /Zëri/Telegrafi/