Site icon Telegrafi

Sigal Prishtina shkel Bashkimin

Në palestrën Sezai Surroi ishin mbledhur një numër i konsiderueshëm i Arpaxhikëve për ta motivuar skuadrën e zemrës, teksa në anën tjetër edhe një numër i vogël i Plisave kishin ardhur për t’i dhënë zemër djelmoshave prishtinas.

Për çudi, prizrenasit në çerekun e parë luajtën më mirë dhe arritën ta përmbyllin me dy pikë epërsi, 19-17. Mirëpo, në çerekun e dytë bardhekaltërit u hakmorën me një ofensivë të frikshme duke shkuar në pushim të pjesës së parë me 15 pikë epërsi, 28-43.

Pushimi si duket u bëri mirë mysafirëve, të cilët ‘eksploduan’ në çerekun e tretë duke shënuar 31 pikë e duke pranuar vetëm 11 sosh, me ç’rast edhe epërsia e tyre u ngrit edhe më tepër, 39-74.

Çereku i katërt u zhvillua vetëm sa për hir të protokollit, pasi që bardhekatërit tashmë e kishin siguruar fitoren, sidoqoftë ata vetëm se e ngritën epërsinë e tyre edhe më tej në 46 pikë, 58-104.

Ndeshja tjetër e javës së 19-të të ETC Superligës së Kosovës në basketboll ka përfunduar me fitoren e Dritës ndaj Besës, me rezultat 85-71. /Telegrafi/

Koshashënuesit më të mirë të Bashkimit:
1 R. Young 11 pikë
2 Z. Jovanovic 11 pikë
3 D. Llampley 10 pikë
4 V. Spaqi 7 pikë

 

Koshashënuesit më të mirë të Sigal Prishtinës:
1 A. Veseli 20 pikë
2 D. Berisha  16 pikë
3 A. Kieza 12 pikë
4 M. Hasani 11 pikë
Exit mobile version