Vendasit e nisën më mirë takimin duke krijuar një epërsi prej pesë pikëve, mirëpo Sigal Prishtina në krye me Dardan Berishën (i cili shënoi 13 pikë vetëm në këtë çerek) u rikthye në lojë dhe e përmbylli këtë fraksion me tre pikë epërsi, 21-24.
Vendasit përsëri e nisën më mirë çerekun e dytë dhe dolën në epërsi, mirëpo shpëtimtari i Bardhekaltërve kësaj radhe doli të jetë Kendrick Jones, i cili me trepikëshat e tij bëri që skuadrat të shkojnë në pushim me rezultat të barabartë, 43-43.
Në çerekun e tretë u zhvillua një lojë me intensitet të lartë nga të dyja skuadrat, teksa vendasit përmes Kovac realizuan një seri prej 7-0, për ta detyruar kështu trajnerin e Sigal Prishtinës, Marin Dokuzovskin që të kërkonte një minutë pushim. Ky i fundit kthehu në lojë Kendrick Jonesin, i cili ishte pika kthyese në lojën e Bardhekaltërve, pasi që me ndihmën e tij u zvogëlua disavantazhi deri në tre pikë, 65-62, për të lënë të hapur gjithçka në çerekun e katërt.
Pjesa e fundit ishte tejet dramatike. Fillimisht Bardhekaltërit realizuan një seri prej 6-0 për të dalë në avantazh, teksa me një mbrojtje të fortë i shkaktuan telashe të mëdha kundërshtarit. Ishte Tay Waller ai që me një trepikësh e ngriti epërsinë në 10 pikë, (67-77), dhe detyroi trajnerin e Craiovas që të kërkonte një minutë pushim.
Ky i fundit urdhëroi skuadrën e tij që të ushtronin presion të lartë, dhe pikërisht këtu filloi të çalonte skuadra kosovare. Jonesit ia vodhën dy herë radhazi topin, ndërsa snajperisti Kovac qëlloi dy trepikësha për ta barazuar rezultatin 85-85, disa sekonda pa përfunduar takimi.
Rumunët patën mundësi që ta fitonin ndeshjen pasi aksioni i fundit ishte i tyri, mirëpo gabuan në gjuajtjen e tyre dhe Dardan Berisha rrëmbeu topin dhe u falua menjëherë kur kishin mbetur edhe tre sekonda deri në fund të takimit. Berisha me mjeshtrinë e tij shënoi vetëm një herë, ndërsa gjuajtjen e dytë e huqi qëllimisht për ta gjuajtur topin në drejtim të Blerim Mazrekut i cili e priti atë për ta përmbyllur këtë takim me një fitore tejet dramatike, 85-86.
Me këtë fitore, Sigal Prishtina tani ka grumbulluar 25 pikë në pozitën e dytë, një më pak se Galil Gilboa në pozitën e parë. /Telegrafi/
Koshashënuesit më të mirë të Craiovas: | ||
1 | M. Kovac | 20 pikë |
2 | T. Bureau | 15 pikë |
3 | B. Popescu | 12 pikë |
4 | J. Naletilic | 10 pikë |
Koshashënuesit më të mirë të Sigal Prishtinës: | ||
1 | D. Berisha | 22 pikë |
2 | K. Jones | 19 pikë |
3 | B. Mazreku | 18 pikë |
4 | A. Kieza | 14 pikë |