Site icon Telegrafi

Sigal Prishtina, Peja, RTV 21…

Nuk ka dyshim se ky është sinjal i mirë para fillimit të edicionit të ri në ETC Superligën e Kosovës, e veçmas në Ligën Ballkanike ku do të përfaqësohemi për herë të parë dhe atë me dy klube.

Për dallim nga e kaluara kur vetëm skuadrat që pretendonin titullin angazhonin basketbollistë të huaj, tani është më ndryshe, pasi edhe skuadrat tjera kanë arritur përforcime si vendore ashtu edhe ndërkombëtare dhe kjo e bën kampionatin më joshës e mbase edhe më të paqartë.

Megjithatë, sikur të gjithë kanë bindjen se janë dy skuadra, Sigal Prishtina e Peja, ato që do ta kenë fjalën kryesore në basketbollin kosovar. Kjo mbase është e kuptueshme, pasi të dyja marrin pjesë edhe në garat ndërkombëtare.

Mirëpo, edhe skuadrat tjera përgatisin befasi, veçmas RTV 21 e cila në edicionin e kaluar dha cilësi e spektakël në basketbollin tonë.

Sigal Prishtina ka shkëlqyer në ndeshjet kontrolluese si me Beshiktashin, ashtu edhe me Pejën në superkupë, por edhe në turneun e saj të mbajtur në kryeqytet. “ I kemi bërë të gjitha përgatitjet e duhura dhe kjo u dëshmua në ndeshjet e zhvilluara.

Jemi të kënaqur me përforcime që do të thotë se kjo do të jetë përbërje e Sigal Prishtinës në edicionin e ri, kuptohet nëse nuk ndodh ndonjë lëndim që duhet zëvendësuar”, thotë drejtori i skuadrës Florian Miftari.

“ Sigal Prishtina dhe Peja do ta kenë fjalën kryesore përkundër faktit se edhe disa skuadra tjera janë përforcuar. RTV 21 ishte freskia e këndshme e edicionit të kaluar dhe shpresoj se ka bërë përforcime të qëlluara, ndërkohë që nuk kam pasur mundësi ta shoh Dritën dhe përforcimet e saja. Trepça duket se ende është në gjumë, kurse Bashkimi, Besa dhe Kastrioti kanë sjell shumë risi në përbërje. Kjo gjithsesi e shton cilësinë, pasi nuk mjaftojnë vetëm dy ekipe cilësore për ligë të fortë. Edhe Turqia dikur nuk kishte basketboll cilësor, por tani ka 8 skuadra shumë të fortë dhe këtë rrugë duhet ta ndjekim edhe ne “, thotë Miftari.

Risi të shumta ka edhe në skuadrën e Pejës e cila do ta rivalizojë Sigal Prishtinën në të gjitha frontet.

“Sa i përket basketbollistëve vendor mendoj se kemi bërë zgjidhje të duhur pasi kemi angazhuar Drilon Hajrizin, i cili besoj se edhe në Pejë do të ketë rol të rëndësishëm, pastaj Hysenagollin si dhe Fahri Brecën. Kur është fjala për të huajt, kjo ka qenë e drejtë ekskluzive e trajnerit kroat i cili në bazë të karrierës së tij nuk besoj se mund të dështojë”, tha kryetari i KB Peja, Art Gashi, duke përmendur edhe largimin e disa basketbollistëve si Dardan Berisha, Blerim Mazrekaj dhe Alban Veseli.

Gashi lavdëron skuadrën e Sigal Prishtinës, për të cilën thotë se “ka krijua një super skuadër dhe kjo është mirë për basketbollin tonë”. “ Edhe skuadrat tjera janë përforcuar mjaft dhe kjo do ta bëjë kampionatin më interesant, do të ketë ndeshje më të forta dhe shikueshmëri më të madhe”, thotë Art Gashi. /Zëri/Telegrafi/ 

Exit mobile version