Sigal Prishtina është skuadra e parë këtë sezon që i fillon përgatitjet për edicionin e ri që do të nisë në fund të muajit shtator.
Si gjithmonë te skuadra ‘Bardhekaltër’ mund të ketë ndryshime derisa tubimi i parë është planifikuar të hënën në mbrëmje. Ftesat iu kanë dërguar të gjithë basketbollistëve vendor përveç Alban Veselit, duke mos llogaritur më në shërbimet e tij. Por, në përgatitje do t’iu bashkohen edhe disa basketbollistë të rinj, njëri ndër ta edhe Mërgim Jakupi, i cili vitin e kaluar ishte pjesë e skuadrës turke Beshiktash. Stërvitjet do t’i udhëheqin Fikret Shatri dhe Albert Sylejmani.
Menaxheri i skuadrës, Edis Kuraja ka konfirmuar se ftesa i është dërguar të gjithë vendorëve përveç Alban Veselit.
“Ftesat iu kemi dërguar të gjithë lojtarëve në të cilët llogaritim për sezonin e ri dhe do të shohim se kush do t’iu përgjigjet pozitivisht. Ftesa i është dërguar edhe vëllezërve Rugova (Granitit dhe Fisnikut), si dhe Dardan Berishës. Po ashtu i kemi dërguar ftesë edhe qendrës Blerim Mazreku, i cili ka thënë se do të vjen në stërvitje, por do të shohim se cilët lojtarë do të vijnë në stërvitje. Alban Veselin nuk e kemi ftuar”, deklaroi Kuraja për ‘Sport Plus’. /Telegrafi/