Site icon Telegrafi

Sigal Prishtina mposhti edhe Lirinë

Përkundër fitores, të zgjedhurit e Ceyhun Cabadak nuk kanë shkëlqyer dhe deri te fitorja nuk kanë arritur lehtë, ndonëse në dy çerekët e fundit e dërrmuan rivalin. Në fakt, çereku i parë nisi me lojë të mirë të Sigal Prishtinës, e cila prore ishte në epërsi, por nga fundi basketbollistët e Lirisë u këndellën dhe në saje të Simiqit barazuan rezultatin 19:19.

Edhe në çerekun e dytë nuk pati shumë dallim në lojën e Sigal Prishtinës, por që epërsia u shtua në pesë pikë dallim 43:38 dhe këtë në saje të disa pikëve radhazi të Blerim Mazrekajt nga gjuajtjet e lira. Në fillim të çerekut të tretë, mysafirët barazuan rezultatin në 46:46, por prishtinasit përmes Kieza, Waller e Berishës rikthyen epërsinë, madje e shtuan atë në dhjetë pikë, 64:54.

Paraqitjen më të mirë basketbollistët e Sigal Prishtinës e patën në fillim të çerekut të fundit, kur Waller ishte i pandalshëm dhe epërsi arriti edhe në 15 pikë dallim, por nga fundi prishtinasit u vetëkënaqën e këtë e shfrytëzuan basketbollistët e Lirisë, të cilët përmes Gjurishiç e Karakolev zbutën epërsinë në vetëm 9 pikë, kështu që në fund shifrat në semafor tregonin për fitoren e Sigal Prishtinës me rezultat 83:74.
Në ndeshjen tjetër të ditës së dytë Aliaga Pekim ka mposhtur Trabzonsporin me rezultat 70:64. Fituesi i turneut varet nga ndeshjet e sotme e të fundit të turneut në të cilat takohen Aliaga Pekim – Liria (17:45) dhe Sigal Prishtina – Trabzonspor (20:00). /Zëri/Telegrafi/ 

Exit mobile version