Palestra e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë ishte mbushur pothuajse e tëra, dhe gjithsesi aty nuk mund të mungonin Plisat, të cilët janë shpirti i ekipit bardhekaltër dhe dhuronin atmosferë të jashtëzakonshme nga tribunat.
Skuadra bardhekaltër e nisi fuqishëm çerekun e parë duke krijuar avantazh prej 9-0, duke shënuar trepikësha të njëpasnjëshëm, mirëpo intensiteti i lojës së tyre në vazhdim ra dhe në përfundim të çerekut Peja e ngushtoi disavantazhin në vetëm tre pikë, 17-14.
Sigal Prishtina arriti ta ruajë avantazhin e saj edhe përgjatë tërë çerekut të dytë, ku treguan lojë të mirë ekipore, edhe pse shpeshherë në mbrojtje ziheshin në gjumë nga kërcimet e George Oduwufa, i cili përmirësonte vazhdimisht gjuajtjet e dobëta të bashkëlojtarëve të tij. Skuadrat shkuan në pushim me 11 diferencë në të mirë të vendasve, 39-28.
Në çerekun e tretë, Peja u këndell dhe aplikoi lojë shumë më të mirë se vendasit të cilët bënin shumë gabime dhe kështu i dhanë mundësi mysafirëve që ta ngushtojnë diferencën në vetëm dy pikë, 49-47.
Peja arriti ta barazojë rezultatin tre herë në çerekun e katërt por asnjëherë nuk arriti të dilte në epërsi, teksa në minutat e fundit basketbollistët e Sigal Prishtinës u treguan më të vëmendshëm dhe arritën ta përfundojnë këtë ndeshje me fitore, 73-67.
Vlen të cekët se gjatë çerekut të katërt Policia e Kosovës i largoi nga tribuna e tyre Plisat për shkak të fyerjeve që i bënë në drejtim të lojtarëve mysafirë, mirëpo ata përsëri qëndruan në sallë deri në përfundim të ndeshjes.
Basketbollisti më i mirë i këtij takimi padyshim se ishte Tay Waller nga radhët e Sigal Prishtinës, i cili shënoi 20 pikë, ndërsa për Pejën më së shumti pikë shënoi Vedran Morovic (11). /Telegrafi/
Koshashënuesit më të mirë të Sigal Prishtinës: | ||
1 | Tay Waller | 20 pikë |
2 | Dardan Berisha | 14 pikë |
3 | K’Zell Wesson | 11 pikë |
4 | Aurimas Kieza | 7 pikë |
Koshashënuesit më të mirë të Pejës: | ||
1 | Vedran Morovic | 11 pikë |
2 | George Oduwufa | 10 pikë |
3 | Frederick House | 10 pikë |
4 | Drilon Hajrizi | 9 pikë |
/Telegrafi/