Palestra “1 Tetori” në Prishtinë ishte mbushur përplot me tifozët e Plisave dhe Shqiponjave, të dy këto ndër tifozeritë më të flakta në Kosovë, të cilat i dhanë kësaj ndeshjeje epitetin e një derbit të vërtetë.
Të dyja skuadrat e nisën me ritëm të lartë çerekun e parë dhe me aksione të përfunduara shpejtë, mirëpo pastaj filluan të komplikohen dhe nga vullneti i madh për të shënuar filluan të bënin gabime në gjuajtje. Megjithëkëtë, kjo nuk vlejti edhe për Alban Veselin që qëlloi dy treshe dhe Drilon Hajrizin që shënoi 7 pikë. Peja e përmbylli këtë çerek me një pikë epërsi, 16-15.
Në çerekun e dytë pejanët vazhduan lojën e tyre ekipore dhe e ruajtën epërsinë e tyre, ndërsa në anën tjetër Sigal Prishtina kishte probleme në trapez dhe qendrat prishtinase, Blerim Mazreku dhe Fisnik Rugova, nuk arrinin të depërtonin në mbrojtjen e ngjeshur të mysafirëve. Peja pjesën e parë të ndeshjes e mbylli me pesë pikë epërsi, 42-37.
Çerekun e tretë Sigal Prishtina u shfaq me një lojë shumë më të shpejtë dhe më mirë të organizuar në mbrojtje, gjë që edhe dëshmon rezultati në përfundim të këtij çereku, i cili ishte pesë pikë në të mirë të bardhekaltërve, 52-57.
Edhe në çerekun e katërt bardhekaltërit vazhduan dominimin e tyre në parket dhe nuk e lejonin assesi Pejën që ta zhvillonte lojën e saj. Me një lojë tejet të organizuar mirë nga Kendrick Jones e Tay Waller dhe me kundërsulme të shpejta Sigal Prishtina arriti ta ngritë epërsinë e saj edhe më shumë deri në fund, kur edhe u shpall fituese e kësaj sfide dhe kampion i “Salamander Kupës së Kosovës”.
Koshashënuesit më të mirë të Sigal Prishtinës | ||
1 | Tay Waller | 16 pikë |
2 | Aurimas Kieza | 12 pikë |
3 | Alban Veseli | 11 pikë |
4 | Blerim Mazreku | 16 pikë |
Koshashënuesit më të mirë të Pejës | ||
1 | Drilon Hajrizi | 11 pikë |
2 | Samir Shaptahoviq | 10 pikë |
3 | Gerti Shima | 9 pikë |
4 | Mirza Ahmetbasic | 9 pikë |
/Telegrafi/