“KB SIGAL Prishtina falënderon të gjithë dashamirët e basketbollit e në veçanti Plisat për atmosferën e krijuar në ndeshjen e dytë të finales së Play-Off’it. Atmosfera e krijuar dhe organizimi i ndeshjes u vlerësua me notën më të lartë edhe nga drejtuesit e Balkan League (BIBL), të cilët ishin të pranishëm në këtë ndeshje. Mirëpo, pas analizës së bërë të dy ndeshjeve dhe të zhvillimeve të ditëve të fundit që nga loja e parë në Pejë kur u sulmua autobusi i klubit tonë me ç’rast u rrezikua jeta e lojtarëve dhe stafit të klubit tonë, e deri te shantazhet që na u bënë në forma të ndryshme nga kryetari i FBK-së, shprehim indinjatën tonë për mënyrën se si po udhëhiqet basketbolli kosovar. Mbi të gjitha, na shqetëson fakti që vetëm në ligën tonë dhe askund tjetër në botë ekziston konflikt i hapur i interesit, ku babai është kryetar i FBK-së e i biri kryetar i klubit që kërcënon me moszhvillim të ndeshjes e në emër të kësaj babai i tij shantazhon klubin tonë madje deri te kërcënimi për mospjesëmarrjen tonë në Ligën Ballkanike. Edhe pse ky konflikt interesi ka ekzistuar që nga fillimi, ne kemi dashur të besojmë në vullnetin e mirë të familjes Gashi. Pasi që dolën në sipërfaqe haptas tendencat dhe veprimet konkrete për ta favorizuar Pejën, ne kërkojmë që të sqarohet ky konflikt i interesit dhe kërkojmë dorëheqjen e kryetarit. Nëse një gjë e tillë nuk ndodh, ne e shohim udhëtimin e ekipit tonë në Pejë si mision të pamundur dhe të rrezikshëm”, thuhet në një reagim të klubit basketbollistik nga kryeqyteti.
Më tej theksohet se Sigal Prishtina do të jetë gjithmonë në shërbim të avancimit të basketbollit dhe të promovimit të tij edhe jashtë kufijve të Kosovës. Por, nuk do të jemi pjesë e një organizimi ku ekzistojnë konflikte klasike të interesit. /Telegrafi/