Palestra “Sezai Surroi” në Prizren ishte mbushur përplot me tifozë. Në njërën anë Shqiponjat e Pejës, ndërsa në anën tjetër Plisat, të cilëve iu kishin bashkuar edhe Arpaxhikët, për të dhuruar një atmosferë impozante gjatë tërë ndeshjes.
Çereku i parë u përcoll me aksione super të shpejta të të dyja palëve të cilat shumicën e pikëve i shënuan nga trapezi, me ç’rast edhe u dalluan qendrat amerikane Akida McLain dhe Cyril Awere. Peja e përmbylli këtë çerek me tri pikë epërsi, 20-23.
Bardhekaltërit e filluan më mirë çerekun e dytë dhe me një mbrojtje të fortë arritën të sigurojnë një epërsi prej katër pikëve, 38-34.
Edhe në çerekun e tretë kryeqytetasit ishin më të mirë se pejanët, e krejt kjo erdhi si rezultat i mbrojtjes së fortë dhe kundërsulmeve të shpejta. Prishtinasit e ruajtën epërsinë e tyre, 51-47.
Çereku i katërt u përcoll me shumë gabime në sulm të të dyja skuadrave e me ç’rast u shënuan pak pikë. Në sekondat u zhvillua një dramë e vërtetë kur Prishtina ishte vetëm një pikë epërsi dhe vetëm 2 sekonda pa përfunduar takimi, Dardan Berisha gjuajti për tre pikë por nuk qëlloi. Rezultati përfundimtar i këtij takimi ishte 55-54.
Me këtë fitore Sigal Prishtina ia doli ta kthejnë Kupën e Kosovës pas dy viteve në vitrinat e saj me shumë kupa të tjera.
Ndërkohë, në konkurrencën e femrave, trofeu i Kupës së Kosovës i takoi Penzës nga Peja, e cila e mundi Sigal Prishtinën me rezultat 73:61.
Koshashënuesit më të mirë të Sigal Prishtinës: | ||
1 | Akida McLain | 17 pikë |
2 | Granit Rugova | 9 pikë |
3 | Julian Terrell | 9 pikë |
4 | Fahri Breca | 8 pikë |
Koshashënuesit më të mirë të Pejës: | ||
1 | Cyril Awere | 19 pikë |
2 | Dardan Berisha | 10 pikë |
3 | Samir Shaptahoviq | 9 pikë |
4 | Alban Veseli | 8 pikë |
/Telegrafi/