Site icon Telegrafi

Sigal Prishtina kampion i Kosovës

Në një atmosferë impozante të krijuar nga ‘Plisat’, Sigal Prishtina pa mund të madh e mposhti Pejën, e cila realisht në kryeqytet kishte ardhur sa për ta kryer obligimin, pasi nuk i kishte në dispozicion tre lojtarët kyçë me të cilët e fitoi Kupën e Kosovës – Justin Dobbins, Demarius Bolds dhe Samir Shaptahoviq.

Andaj, kjo përballje nuk i përngjante një finaleje, sepse bardhekaltrit ishin të papërmbajtshëm për verdhezinjtë gjatë gjithë ndeshjes. Çerekun e parë vendasit e përmbyllën me 16 pikë avantazh, saktësisht me rezultat 34:18. Prishtinasit i deklasuan mysafirët edhe në periudhën e dytë, të cilën e përmbyllën me plus 29 pikë. Pra, çereku i dytë përfundoi me rezultat 28:15, përkatësisht me rezultat të përgjithshëm 62:33.

Ndërsa, dy çerekët e fundit u zhvilluan sa për sy e faqe. Periudha e tretë përfundoi me rezultat të përgjithshëm 78:54. Kurse, në çerekun e fundit, trajneri i Sigal Prishtinës, Arben Krasniqi inkuadronte në lojë lojtarë të atillë që kishin minutazhë më të vogël në ndeshjet e mëparshme. Megjithatë, ata dhanë provimin, pasi ia dolën të shkëputen deri në 36 pikë epërsi ndaj ekipit kundërshtar. Kështu, ndeshja u përmbyll me rezultat përfundimtar 104:70, për Sigal Prishtinës.

Dhe festa në kryeqytet shpërtheu kur trofeun e titullit të kampionit o çoi lart kapiteni i badhekaltërve, Edmond Azemi.

Kështu, kryeqytetasit vazhduan dominimin e tyre në basketbollin kosovar, të cilët viteve të fundit nuk po kanë konkurrencë nga skuadrat e tjera të BKT-Superligës. Pa dyshim, në këto suksese të Sigal Prishtinës, më së shumti merita ka trajneri Arben Krasniqi, i cili me këtë skuadër nuk ka të ndalur.

Ky titull, për Krasniqin ishte i veçantë. “Natyrisht se ky titull është i veçantë nga të tjerët, sepse nuk ka qenë e lehtë për ne të vijmë deri këtu, kur kemi parasysh faktin se kishim lojtarë shumë të rinj dhe pa përvojë në ekip. Mirëpo, me punë arritëm që me ata lojtarë ta fitojmë titullin. Mendoj se e kemi merituar këtë titull, sepse gjatë gjithë kampionatit kemi dominuar”, u shpreh pas ndeshjes trajneri prishtinas, i cili ndihet shumë i lumtur që puna e tij me lojtarë të rinj secilin vit po i shpaguhet me trofe. Madje, Sigal Prishtina duket se veç ka nisur të bëhet shembull për ekipet e tjera kosovare se si duhet punuar për të arritur deri te suksesi. “Ia uroj Prishtinës titullin e kampionit që e ka merituar plotësisht pasi ka punuar intensivisht gjatë tërë vitit”, tha shkurt trajneri pejan, Bujar Loci. /Express/Telegrafi/

Exit mobile version