Edhe sot, si ndeshjet tjera, Plisat kishin ardhur në numër të madh për ta përkrahur skuadrën e tyre të zemrës.
Ndeshja filloi me një ritëm të ngadaltë, teksa për 3 minutat e parë u shënuan vetëm pesë pikë. Bardhekaltërit e udhëhequr nga Blerim Mazreku fillimisht patën epërsinë, mirëpo ekipi mysafir u kthye furishëm në lojë dhe e përmbylli këtë pjesëlojë me katër pikë epërsi, 17-21.
Në çerekun e dytë Bardhekaltërit ishin më të fokusuar dhe i eliminuan gabimet e shumta në mbrojtje që i bënë në çerekun e parë. Me kundërsulme të shpejta arritën ta shkrijnë disavantazhin dhe në sekondën e fundit, Kendrick Jones ia vodhi topin kundërshtarit dhe shënoi nga afërsia për t’i dhënë skuadrës së tij epërsinë prej një pike, 34-33.
Pjesa e dytë filloi me një ritëm më të lartë dhe të dyja skuadrat ishin më të përqendruara në mbrojtje duke mos lejuar kështu shumë hapësirë, dhe si pasojë nuk u shënuan shumë pikë. Ky çerek ishte i barabartë, mirëpo epërsia mbeti në anën e vendasve, 49-48.
Në çerekun e katërt, Bardhekaltërit filluan të lënë shumë zbrazëtira në mbrojtje, të cilat ia mundësuan Ballkanit që të dalin në epërsi prej gjashtë pikëve (54-60), kur kishin mbetur edhe gjashtë minuta pa përfunduar takimi. Mysafirët vazhduan lojën e tyre të mirë dhe deri në fund të takimit e kontrolluan ndeshjen pa ndonjë problem. Rezultati përfundimtar ishte 73-79.
Lojtari më i dalluar te Sigal Prishtina ishte Blerim Mazreku me 25 pikë, ndërsa te Ballkani më i miri ishte Pavel Marinov me 18 pikë. /Telegrafi/