Site icon Telegrafi

Sigal Prishtina e shkel Craiovan (Foto)

Rreth 1300 bileta ishin shitur për ndeshjen e sotme, ndërsa Plisat gjithashtu kishin mbushur pjesën e tyre për t’i dhënë këtij super-derbi një atmosferë të veçantë.

Vendasit nuk e nisën edhe aq mirë ndeshjen dhe iu desh që t’i ndiqnin mysafirët vazhdimisht në rezultat, mirëpo Dardan Berisha dhe Aaron McGhee i mbanin gjallë Bardhekaltërit me shënimet e tyre. Çereku i parë u mbyll me tre pikë epërsi për mysafirët, 22-25.

Në çerekun e dytë, trajneri i Sigal Prishtinas, Sabit Hadzic, i dha më shumë hapësirë Blerim Mazrekut dhe Muhamed Hasanit, të cilët i dhanë frytet e tyre. Ishte McGhee i cili me një trepikësh e barazoi rezultatin në 34-34 dhe e ngriti tërë palestrën në këmbë, ndërsa në aksionin e radhës Mazreku shënoi nga afërsia për t’i dhënë prishtinasve epërsinë. Që nga ky moment, Bardhekaltërit zhvilluan një lojë të mençur me mbrojtje të fortë dhe deri në fund të pjesës së parë e ngritën epërsinë në gjashtë pikë, 48-42.

 

Në çerekun e tretë, Sigal Prishtina arriti ta ruajë epërsinë konstante dhe e mbylli këtë pjesëlojë me pesë pikë epërsi, 68-63. Teksa, këtu filloi edhe të ndizet snajperisti Dardan Berisha.

Bardhekaltërit eksploduan në çerekun e fundit duke e shkelur kundërshtarin me kundërsulme të shpejta, që përfundoheshin me sukses nga Mazreku e Berisha, ndërsa ky i fundit ishte thjeshtë i pandalshëm duke arritur në kuotën e 27 pikëve gjithsej. Në fund të ndeshjes, rezultati ishte 92-76 për Prishtinën, e cila shënoi fitoren e tretë në po kaq ndeshje në Ligën Ballkanike.

Më i miri i këtij takimit edhe kësaj radhe ishte Dardan Berisha me 27 pikë, 8 kërcime dhe 7 asistime, ndërsa Aaron McGhee dhe Blerim Mazreku i shënuan nga 22 pikë secili. /Telegrafi/

Exit mobile version