Site icon Telegrafi

Sigal Prishtina dhe Zero Pozitive Publicis nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

Në prag të fillimit të Ligës Ballkanike, ku Sigal Prishtina, për herë të parë do të garojë në këtë garë prestigjioze, marrëveshja e nënshkruar do t’i ndihmojë klubit që të ketë paraqitjen më të mirë në publik nga ekspertiza dhe përvoja e agjensionit Zero Pozitive Publicis.

Blerand Stavileci, kryetar i klubit, theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi duke potencuar se tash e tutje klubi do të paraqitet më ndryshe nga herët e kaluara, pasi që për punën e marketingut sportiv tashmë është kontraktuar agjensioni i specializuar për këto punë. Ndërsa Genc Meraku, kryeshefi ekzekutiv në Zero Pozitive Publicis, deklaroi se ndjehet krenar që kontribuon në paraqitjen sa më të mirë të klubit në publik dhe se shpreson që Sigal Prishtina të arrijë suksese të mëdha në Ligën Ballkanike.

Zero Pozitive Publicis me këtë rast bëhet agjension zyrtar për marketingun e klubit më të trofeshëm në Kosovë, për të cilin do të krijojë koncepte kreative, prodhim të promove, ndihmë në gjetjen e sponzorëve e shumë aktivitete të tjera të marketingut të cilat do të jenë në funksion të klubit.

Inkuadrimi i Sigal Prishtinës në Ligën Ballkanike është hap i madh dhe historik për ndërkombëtarizimin e sportit kosovar në përgjithësi, dhe për këtë arsye, K.B. Sigal Prishtina dhe Zero Pozitive Publicis do të përkujdesen që e tërë sezona të krijojë bujë të madhe në vend, për të shtuar shikueshmërinë edhe më shumë në sallat e sporteve dhe për t’i ndihmuar klubit që të ketë paraqitje sa më të mirë në garat ndërkombëtare. /Telegrafi/ 

Exit mobile version