Site icon Telegrafi

Sigal Prishtina 1 – 0 Peja

Bardhekaltërit e nisën mirë këtë sfidë përballë Plisave që kishin ardhur në numër të konsiderueshëm për t’i përkrahur si gjithmonë.

Ishin pikët e Blerim Mazrekut dhe asistimet e Dardan Berishës ato që e diktuan çerekun e parë të kësaj loje që kaloi nën hijen e Bardhekaltërve me nëntë pikë epërsi, 23-14.

Në çerekun e dytë, u pa një përpjekje e pejanëve për ta barazuar rezultatin teksa e ngushtuan disavantazhin deri në pesë pikë, mirëpo pastaj pasuan tre humbje të njëpasnjëshme të topit që u dhanë mundësi prishtinasve që të ngritin epërsinë përsëri dhe atë deri në 15 pikë, (39-24), në fund të pjesës së parë.

Bardhekaltërit e nisën mirë edhe çerekun e tretë teksa arritën ta ngritin avantazhin e tyre deri në 20 pikë, (50-30), mirëpo pejanët u rikthyen paksa në lojë pas një presingu të madh në mbrojtje dhe me ndihmën e Samir Shaptahut e Rron Grapcit e zvogëluan disavantazhin në vetëm tetë pikë, 53-45. Kështu, gjithçka mbeti e hapur për pjesëlojën e fundit.

Forma e dobët e vendasve vazhdoi edhe në çerekun e katërt, teksa pejanët me këmbëngulje kërkon që ta barazonin rezultatin. Këta të fundit arritën ta ngushtojnë disavantazhin deri në gjashtë pikë, kur kishte mbetur edhe një minutë për t’u luajtur. Mirëpo, në ato momente u fut në lojë kapiteni Edmond Azemi, i cili me një dypikësh i dha qetësi skuadrës së tij dhe forcë për ta përfunduar këtë ndeshje me fitore prej gjashtë pikë epërsi, 72-66.

Lojtari më i mirë i ndeshjes ishte Blerim Mazreku i Sigal Prishtinës, i cili realizoi ‘double-double’ me 20 pikë e 12 kërcime, ndërsa te Peja u dallua Gerti Shima me 19 pikë e 9 kërcime.

Ndeshja e dytë finale do të luhet në palestrën ‘Karagaçi’ në Pejë. /Telegrafi/ 

Exit mobile version