Site icon Telegrafi

Si u zunë të gjallë 8 ushtarë serbë dhe u shkëmbyen me 9 ushtarë të UÇK-së?

Më 8 janar të vitit 1999, ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Shalës i zunë të gjallë dhe i arrestuan tetë ushtarë serbë të uniformuar. Komandant të kësaj zone tregojnë se ata u trajtuar në mënyrën më njerëzore deri në ditën kur u liruan dhe u këmbyen me 9 ushtarë të UÇK-së që ishin zënë rob nga Serbia. 

Në janar të vitit 1999 një kamion me ushtarë serbë ishte vet-aksidentuar në kodrat e Stantergut afër Trepçës.

Më 8 janar të po këtij viti, në orët e mëngjesit tetë ushtarë serbë ishin porositur nga komanda që të hetojnë aksidentin ku vdiqën kolegët e tyre.

Në vend se të kthehen në të djathtën e kësaj rruge, ata vazhduan rrugëtimin.

Vëzhguesit me uniformën e UÇK-së e kishin nën kontrollë zonën por i lejuan të futen më thellë në territorin e tyre.

Ata qëndronin në shkëmbinjtë në kodrën përballë.

Kthesa e fundit që ushtarët serbë e bënë ishte në fshatin Bare.

Në udhëkryq ranë në pritën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dy ushtarët e uniformuar i çarmatosën dhe i futën në ish-fabrikën që ishte kthyer në gërmadhë.

Në vend ngjarje, për pak minuta kishte mbërritur vet i pesti edhe komandati i Bataljonit të Parë në Brigadën 143.

Ushtarët serbë mendonin se ky është fundi i jetës së tyre, por nuk e dinin se në duart e UÇK-së nuk zbatoheshin torturat dhe krimet që kryente ushtria e Serbisë.

Hajzer Istrefi, Ish-komandant i UÇK-së, ka rrëfyer ato momente.

“Më tha “unë e di që ju po na dërgoni me na pushkatu por e kam një kërkesë të fundit”. Thash kush po ju thotë, më tha “po e di”. Më tha këtu e kam dokumentacionin në gjep më tha ju lutem e nxjerrni e shihni kush jam e nga jam, nga i kam prindërit krejt ato edhe i lajmëroni të kenë me dije se ku kam mbetur unë. Unë i jam drejtuar “ne nuk ju qojmë me ju pushkatu as me ju malltretuar”.”

Për pak kohë ushtarët u mbajtën në shkollën e Bajgorës, e më pas në një shtëpi që u shkatërrua nga ushtria e Serbisë në ofensivat e mëvonshme.

Pamjet e Associated Press tregojnë gjendjen e ushtarëve, asnjë shenjë që tregon për dhunë fizike e ndoshta edhe psikike ndaj tyre.

Edhe vet një ushtar tregon se po trajtohen mirë, madje Hajzeri tregon se për çdo ditë përmes telefoni serbët kanë komunikuar me familjarët e tyre.

“Sikur ushtarët tonë sikur ata njëjtë, këtu kanë fjetur ushtarët tonë këtu kanë fjetur edhe këta (ushtarët serbë), janë ushqyer ashtu si jemi ushqyer ne, as nuk i ka maltretuar dikush as asgjë”, ka deklaruar Hajzer Istrefi.

Serbia dhe regjimi i Millosheviqit ishin tërbuar nga ky lajm, as kërcënimet që të lirohen deri në orën 15 ose do të digjet Bajgora nuk e frikësuar UÇK-në.

Plani ishte që 8 ushtarët serbë të mbaheshin deri në lirimin 9 ushtarëve të UÇK-së të zënë në ish-kufirin me Shqipërinë, në priten kur kishte rënë edhe Mujë Krasniqi me 40 ushtarë të UÇK-së.

Dhe ashtu ndodhi, marrëveshja u arrit.

Pas negociatave për t’i shkëmbyer me ushtarët e UÇK-së, ushtarët serbë u përcollën me një porosi nga komandanti i Zonës Operative të Shalës, Rrahman Rama.

Hajzer Istrefi, Ish-komandant i UÇK-së ka thënë se “Gjeneral Rama e ka kërku një fjalë prej tyre. Ju ka thanë, ju sot po liroheni shkoni shëndosh e mirë në shtëpijat tuaja tek familjet e juaja dhe na vjen mirë që u arritë kjo marrëëveshje që me u liru e me shku. Një kërkesë e imja prë juve është është që ju ta folni vetëm të vërtetën, se si jeni trajtuar në dorën tonë këtu. Edhe ata janë betuar se ne do ta flasim të vërtetën edhe aq sa kemi dëgjuar pas deklaratat e tyre përmes shtypi e të tjera, ata e kanë folur të vërtetën.”

Ndërmjetësues për shkëmbimin e robërve ushtar, ishte ministri i jashtëm i Norvegjsie Knut Volebek, Ëillijam Vokeri nga OSBE dhe ambasadori amerikan Christofer Hill. Një javë pas marrëveshjes ushtarët e UÇK-së u liruan, ndërsa kjo ngjarje mbeti në historinë e luftës si dëshmi për luftën e pastër dhe trajtimin njerëzor ndaj ushtarëve serbë, përkundër që Serbia po masakronte civilë anë e mbanë Kosovës./RTV Dukagjini/

Exit mobile version