Në fillim të vjeshtës së vitit 1998, Brigada 114 e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nën drejtimin e komandantit Fehmi Lladrovci, kishte zhvilluar njërën ndër betejat më të ashpra kundër forcave serbe.
Kjo betejë e njohur për qëndresën e saj, u bë një nga momentet kyçe të luftës për lirinë e Kosovës.
Njëri nga ish-ushtarët e UÇK-së, Shaban Berisha, ka rrëfyer ngjarjet dramatike të asaj dite, duke e përshkruar qetësinë dhe urdhrat e saktë të komandantit Lladrovci.
“Komandanti ishte gjithmonë i qetë dhe na ka dhënë kurajë. Ai na tha se duhet të jemi këmbëngulës dhe se nuk kanë çfarë të na bëjnë”.
“Ai na porositi të mos hapnim zjarr derisa forcat serbe të afroheshin në një distancë prej 50 metrash, për shkak të mungesës së municionit. Vetëm pasi ai hapi zjarr me snajperin amerikan, filluam dhe ne të qëllonim,” kujton Berisha, duke theksuar mprehtësinë e Fehmi Lladrovcit në një moment kritik për brigadën.
Luftimet kishin nisur rreth orës 08:00 të mëngjesit.
Përkundër përpjekjeve të vazhdueshme të ushtrisë serbe për ta thyer kordonin, nuk ia kishin dalë.
“Herën e tretë kur kanë ardhur këmbësoria, kanë tentuar të futen në kanal, por vigjilenca e mësuesit Islam Krasniqi ishte vendimtare. Ai dëgjoi një zhurmë dhe kuptoi që forcat serbe ishin afruar. Kur dëgjuam që ushtarët serbë po flisnin serbisht dhe urdhëronin njëri-tjetrin të lëviznin në të majtë, atëherë ne dolëm mbi kanal dhe qëlluam nga një karikator me fishekë. Aty dëgjuam një gjëmë të madhe,” rrëfeu ai, duke përshkruar sesi surpriza e tyre i befasoi forcat serbe.
Luftimet vazhduan deri në orën 15:00, dhe në fund ushtarët e UÇK-së morën urdhër të tërhiqeshin nga zona.
“Na u tha që duhet të tërhiqemi, pasi më nuk ishte e jona. Atëherë jemi dalë nga kanali dhe jemi tërhequr,” përfundoi Berisha, duke nënvizuar sakrificën dhe vendosmërinë e luftëtarëve të Brigadës 114.
Kjo betejë përfaqësonte jo vetëm forcën ushtarake të Brigadës 114, por edhe shpirtin e pathyeshëm të popullit të Kosovës në luftën për liri.
Kujtimet e asaj dite mbeten të gjalla tek të gjithë ata që ishin dëshmitarë, si një dëshmi e vendosmërisë dhe sakrificës së luftëtarëve të UÇK-së./Telegrafi
Dokumentarin e plotë mund ta shikoni KËTU.