Makina luksoze, 350 mijë euro dhe 56 kilogramë heroinë ishte rezultati i një operacioni të madh të policisë spanjolle.
Pas 10 muajsh hetime, në pranga përfunduan 12 persona pjesë e një grupi shqiptaro-spanjoll.
Sasia rekorde e heroinës e kapur gjatë vitit 2016 në Bashkimin Evropian, ishte blerë në Holandë. Ajo ishte fshehur poshtë motorit të makinës “Porsche Cayenne” që grupi po e përdorte për ta transportuar nga Amsterdami.
Bëhet fjalë për një bashkëpunim mes një grupi spanjoll që merrej me shpërndarjen e drogës dhe një grupi tjetër shqiptar që siguronte heroinën.
Policia kapi në Barcelonë liderin e grupit spanjoll të shoqëruar nga e dashura e tij. Sipas hetuesve ai kishte kontaktuar liderin e një grupi shqiptar që merrej me shitjen e drogës. Ata kishin lënë takim ku do të bëhej shkëmbimi i parave me drogën.
Pasi lokalizoi makinën që ishte parkuar para një hoteli. Policia ndërhyri duke arrestuar shoferin i cili kishte dokumente greke false.
Nga ana tjetër, policia sekuestroi dhe 350 mijë euro, para me të cilat grupi spanjoll do të blinte drogë. Gjithashtu u sekuestruan shtatë makina luksoze, makineri për numërimin e parave, armë zjarri dhe një pistoletë me silenciator.