Fondet milionëshe për lobim, nuk i kanë sjellë Kosovës anëtarësimin në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë – INTERPOL, e madje as fondi shtesë prej më shumë se 1 milion euro, të cilin e ka ndarë Qeveria e Kosovës vetëm një muaj më parë, për siç është thënë, menaxhimit efektiv të aktiviteteve lobuese.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, atëherë nuk pati bërë të ditur se si do të shfrytëzohen mjetet financiare të atij fondi shtesë, por ka theksuar që shpjegimet do të jepen kur të bëhet raportimi.
Haki Shatri, këshilltar për ekonomi i kryeministrit Haradinaj, thotë për Radion Evropa e Lirë që mjetet financiare prej më shumë se 1 milion euro, të ndara rreth një muaj më parë, kanë qenë të destinuara për Ministrinë e Punëve të Brendshme.
“Deri sot, kanë qenë në procedurë të shpenzimeve. Po besoj që ende nuk janë kthyer njerëzit nga rruga (Dubai). Por, e di që ato mjete janë hedhur në një konto të veçantë pranë Policisë së Kosovës, sepse ata kanë pasur instruktor që janë për bashkëpunim me policitë e shteteve të tjera, sepse relacionet kanë qenë që të ndikohet te drejtorët e policive të vendeve të tjera. Por, deri më sot nuk kemi raport se çka është shpenzuar, sepse procedura ka qenë në vazhdim. Sigurisht që ata që kanë qenë kompetentë që ta menaxhojnë këtë fond, duhet të sjellin edhe raport se për çka janë shpenzuar dhe sa janë shpenzuar”, tha Shatri.
Në anën tjetër, deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë paralajmëruar se do të kërkojnë shpjegime lidhur me shpenzimin e mjeteve nga fondi për lobim.
Zafir Berisha, anëtar i Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se në seancën e radhës së Kuvendit, do të hapë temën e fondit për lobim.
“Shuma mbi 1 milion euro nuk është e vogël dhe natyrisht që bashkë me dështimin në arritjen e synimit (për anëtarësim në INTERPOL) duhet të arsyetohen të gjitha ato mjete që janë shpenzuar. Unë mendoj që këtu ka edhe përgjegjësi institucionale, duke përjashtuar atë që, për fat të keq, përgjegjësia morale në Kosovë ka mbetur në rend të dytë”, thotë Berisha.
Por, Shatri thekson se për shpenzimet e mjeteve nga fondi për lobim do të ketë transparencë.
“Sipas ligjit, çdo shpenzim i parasë publike duhet të jetë transparent edhe për publikun. Nuk besoj që do të mbetet anonim dhe as i mbyllur”, u shpreh Shatri.
Ndryshe, deputeti Berisha, ka theksuar që shpjegimet mbi shpenzimet e lobimit do të kërkohen në detaje dhe jo vetëm për fondin shtesë të ndarë rreth një muaj më parë nga Qeveria.
“Besoj që këto tema do të ngrihen dhe unë do të jem ai që do të kërkoj edhe detajet rreth lobimit dhe shpenzimit. Dyshoj që shuma mundet me qenë shumë më e madhe rreth lobimit, pavarësisht që mjetet nuk kanë qenë të dedikuara për lobim, por janë shpenzuar në këtë drejtim”, tha Berisha.
Pas dështimit të Kosovës që të anëtarësohet në INTERPOL, presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka theksuar që nuk u beson shumë lobimeve, por vendosmërisë së shteteve që e kanë njohur Kosovën dhe meritës së vetë Kosovës, e cila sipas tij, ka plotësuar të gjitha kriteret për të qenë pjesë e INTERPOL-it. Ai ka theksuar se Kosova nuk ka pasur shumë nevojë për lobim, por duhet të punojë edhe më tepër në të ardhmen. /Rel/