Telegrafi

Si u shkatërrua dhurata e Stalinit për Enverin: Dashuria, puna dhe terrori

Nëse nuk do të ekzistonin arkivat, vështirë të besohej se para viteve 50-të e gjithë zona ku u ngrit Kombinati Tekstil pranë Tiranës ishte një kënetë e madhe ku ngrinin krye veç kallamishtet.

Megjithëse sot kufiri mes saj dhe kryeqytetit është thuajse inegzistent për shkak të dendësisë së banesave që u ngritën vrullshëm njëra pas tjetrës, dikur ky vend dukej mes askundit, i largët dhe i harruar.

Shkretia zgjati deri në gjysmën e parë të shekullit të kaluar kur mbi argjilën e moçalit do të projektoheshin fillimisht themelet e një lagje e mandej një qyteze industriale që do merrte shpejt emër për prodhimin e tekstileve.

Lideri sovjetin Josef Stalin, në shenjë miqësie ndaj Tiranës zyrtare, vendosi të dhurojë një Kombinat Tekstil.

Por këtë Enver Hoxha nuk e konsideronte veç si ndërtim të një vepre madhore për të veshur shqiptarët e zhveshur nga skamja dhe izolimi, por edhe si betonim të një aleance me udhëheqësin sovjetik të cilin e shihte si model frymëzimi për diktaturën që kishte nisur të instalonte.

Sot gjithçka që mund të shihet ka një pamje apokaliptike. Fati i Kombinatit ka përhumbur sërish në kënetën e dikurshme, e këtë herë jo në atë prej argjile por të indiferencës.

Gazetari Andrea Danglli, në dokumentarin e radhës sjell në Euroneës Albania një panoramë të plotë e të qartë të shkëlqimit dhe rënies së kësaj vepre që veshi shqiptarët për vite me radhë dhe sot dergjet në mëshirë të fatit.