Site icon Telegrafi

Si u përzunë Camaj e Kelmendi nga mbledhja e shkrimtarëve të Kosovës

“Nuk e mbaj mend as vitin e jo më muajin, a ditën, kur u mbajt e para Mbledhje e Letrarëve të Kosovës në sallën e epërme të kinemasë ‘Rinia’, në Prishtinë. Më duket se ‘organizata jonë letrare’ zyrtarisht quhej ‘Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës’, në të cilin merrnin pjesë jo vetëm shkrimtarët shqiptarë, por edhe serbë, malazezë dhe turqit”, shkruan ai në librin “Nga ditari im”.

Ajo çfarë atij i kujtohet nga kjo ngjarje e që nuk do ta harrojë asnjëherë, është e papritura që ndodhi.

“Ma thotë mendja do të ketë qenë ditë e diel, një ditë e bukur me diell dhe një atmosferë solemne, thuajse festive. Të gjithë ishin veshur me rrobat më të mira dhe seç u reflektohej një shprehje hareje në fytyrë. Epo nuk ishte punë e vogël kjo të mbahej solemnisht, zyrtarisht dhe në nivel shtetëror Kuvendi i Parë i Shkrimtarëve të Kosovës. Por, ajo që nuk harroj kurrë edhe sot, sigurisht, mbi gjysmëshekulli, është skandali i paparë që na ndodhi në hyrje të sallës’, kujton Kelmendi.

Atij dhe Martin Camajt do t’u komunikohej se e kishin të ndaluar rreptësisht të merrnin pjesë në këtë mbledhje. Emrat e dy letrarëve ishin fshirë nga lista dhe nuk u lejohej hyrja. Camaj në ato kohë ishte ndër poetët më të njohur. Kishte ikur nga Shqipëria dhe studionte në Beograd bashkë me Kelmendin dhe një grup tjetër letrarësh nga Kosova. Ishin vitet ‘50 dhe pjesëmarrja e Camajt në këtë takim letrarësh në Kosovë duhet të ishte një surprizë. Brenda në takim si i ftuar i nderit ishte shkrimtari serb, Dobrica Cosic.

“Pasi ndenjëm pak në oborr, erdhi koha të niste mbledhja. Unë kisha përkrah Martinin dhe sapo u drejtuam nga hyrja na u drejtua Vehap Shita, i cili në atë kohë ishte sekretar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Me shumë ngurrim dhe një shprehje keqardhjeje, na ndali dhe na tha përafërsisht se i kanë dhënë një detyrë shumë të rëndë, që pikërisht ai duhet të na komunikojë se emrat e Martin Camajt dhe Ramiz Kelmendit janë fshirë nga lista e pjesëmarrësve në Kuvendin e Parë të Letrarëve të Kosovës. U stepëm, por jo vetëm ne, por edhe Vehapi”, kujton Kelmendi.

Ata nuk morën asnjëherë shpjegim për këtë ngjarje. Martini u kthye në Beograd, ndërsa ai në shtëpinë e tij në Prishtinë. Kjo ndodhi e trishtë do ta shoqëronte gjatë mendjen e Ramiz Kelmendit, i cili nis të dyshojë dhe te miku i tij, gazetari Vehap Shita. /Gazeta Shqip/
 

Exit mobile version