E dashur, e buzëqeshur dhe tepër e komunikueshme. Kjo është Kristina Bakiu, vajza që do të përfaqësojë Shqipërinë në “Miss World 2015”, në Kinë. Më herët është kurorëzuar si “Miss Univers 2013”, por ambiciet e saj nuk u shteruan asnjëherë. Televizori ka qenë objekti i saj i preferuar që kur ishte fëmijë. Revistat e modës gjithashtu. Por asnjëherë nuk e kishte menduar që do të ishte pjesë e tyre.
Tashmë, ajo zë vend kryesor pothuajse në të gjitha editoralet dhe spektaklet që flasin rreth modës dhe punës së modeleve. Megjithëse jo shumë optimiste në lidhje me fitoren e “Miss World”, ajo shprehet se do të vazhdojë jetën e saj pas përfundimit të konkursit, me objektivat të qarta për shkollën dhe pasionin për modën, që e konsideron edhe si profesion. Në intervistën për “Shekullin”, Kristina flet për eksperiencën dhe qëndrimin në Kinë, pak ditë përpara se të zhvillohet konkursi. Miqësi, komplimente, kontakte dhe çfarë ka mësuar tjetër nga ky kompeticion i gjeni mes rreshtash në intervistën e Kristina Bakiut.
Ti do të përfaqësosh Shqipërinë në “Miss World 2015”. Si u përzgjodhe, duke marrë parasysh që ishte Pajaziti ajo që fitoi në konkursin e zhvilluar?
Po, këtë vit jam unë e përzgjedhura për të përfaqësuar Shqipërinë në “Miss World”. Mora një ftesë nga producentja dhe ajo që mban patentën e këtij spektakli në Shqipëri, Vera Grabocka dhe më pyeti nëse isha e gatshme të përfaqësoja vendin në “Miss World”. Duke qenë se e kam pasur këtë dëshirë edhe më herët e pranova pa u menduar gjatë, por absolutisht nuk e di çfarë u bë me vajzën tjetër.
Si e priti familja këtë lajm?
Sigurisht që u befasuan dhe u lumturuan pa fund, sepse kush nuk do të donte që të shihte vajzën në një kompeticon kaq të rëndësishëm, duke përfaqësuar vendin. Ata ndihen krenarë për mua po ashtu edhe unë për ta, sepse më kanë mbështetur në çdo arritje timen dhe për këtë iu jam shumë mirënjohëse.
Po qëndron në Kinë këto ditë. Si të duket ky vend, ka diçka që të pëlqen ose jo?
Po, vazhdoj të jem në Kinë edhe për më pak se një javë. Më pëlqen ky vend, është shumë interesant, i bukur, më pëlqejnë njerëzit sepse janë shumë të dashur dhe të thjeshtë. Por nuk më pëlqen rrëmuja që krijohet për shkak të popullsisë së madhe dhe ushqimi. Kam një muaj këtu dhe nuk më ka shijuar asgjë.
A je miqësuar me konkurrentet e tjera?
Sigurisht, me vajzat jam miqësuar shumë, ka vërtet vajza të dashura dhe të thjeshta, nuk e prisja këtë, duke menduar se është gare bukurie dhe xhelozia është e madhe. Kam krijuar miqësi më të ngushtë me disa prej tyre dhe besoj se do i ruaj kontaktet edhe kur kjo garë të përfundojë.
Çfarë të bën ty të veçantë nga vajzat e tjera?
Nuk mendoj se kam ndonjë gjë të veçantë, por unë këtë garë e shoh më shumë si një eksperiencë të bukur se sa si një garë që duhet ta fitoj patjetër, ndaj jam munduar që të flas dhe të komplimetoj çdo vajzë pa pasur xhelozi dhe zili asnjërën, gjë që shumë pak vajza e bëjnë këtu.
A je optimiste për fitoren?
Të them të drejtën jo, nuk jam, sepse jo se nuk kam pasur vëmendje dhe komplimente nga organizatorët, por mendoj së është edhe politike, në fokus janë vajzat nga shtetet e fuqishme dhe ku interesi është më i madh. Por unë shpresoj dhe dëshiroj të paktën të jem në “Top 20”, pse jo edhe në “Top 10”, por kaq, jo më tepër.
Si ka lindur te ty pasioni për modelingun?
Ashtu si shumë vajza, në moshë të vogël shikoja televizor dhe revista mode. Ëndërroja të isha edhe unë aty, por që çdo gjë më dukej gati e pa arritshme. Isha e zhvilluar në trup dhe çdo njeri që takoja më thoshte pse nuk konkurron për mis, pse nuk bëhesh modele dhe kjo më ishte ngulitur së tepërmi në kokë, por që nuk dija si të bëhesha dhe ku të drejtohesha. Derisa një ditë vijnë tek shkolla ime përzgjedhës nga stafi i “Miss Albania” dhe më zgjedhin për të konkurruar në garë dhe kështu nisi edhe rrugëtimi im në këtë fushë.
Tashmë është vetëm pasion apo edhe profesion?
Vazhdoj akoma ta kem pasion, por jo se nuk e shoh edhe si profesion, por duke qenë se jetoj në Shqipëri dhe mundësitë për ta parë më tepër si profesion janë të pakta, kështu që preferoj t’i kem të dyja të ndërthurura bashkë.
Pas “Miss World”, ku do të shohim?
Nuk është se kam ndonjë plan se çfarë do bëj më pas. Do përfundoj këtë garë dhe do vazhdoj jetën normalisht, do përfundoj shkollën, do vazhdoj të praktikoj modelingun dhe gjërat e tjera do ia lë kohës.
Studimet
Kristina Bakiu aktualisht është studente e vitit të tretë për Shkenca Politike në UET. Ajo është pjesë e një agjencie zvicerane dhe shpesh herë udhëton drejt Zvicrës për të përmbushur aktivitetet që kanë lidhje me modën. Në Shqipëri, ajo aktivizohet sa herë që i jepet mundësia, sepse sipas Kristinës, vendi ynë nuk ofron shumë mundësi sa i përket modelingut. Ajo është 20 vjeçe dhe i duket sikur jeta e vërtetë sapo ka nisur për të, sepse tani mendon se përgjegjësitë ndaj vetes janë rritur, për të bërë më të mirën e mundshme. Kërcimi është dëshirë shumë e madhe për Kristinën, i cili mbetet thjesht hobi për shkak se, “tani është tepër vonë për t’u bërë kërcimtare profesioniste.” I pëlqejnë udhëtimet, ka mbështetjen e prindërve për çdo gjë dhe ëndërron që në të ardhmen të jetë një “business women”. /shekulli/